Maqedoni

“Freedom Hause”: Maqedonia, vendi me rënien më të madhe

12.04.2016 12:36

Sipas raportit më të fundit të “Freedom House”, gjendja në vendet e Ballkanit ka një kthim në nivelin ku ishte në vitin 2004...

Maqedonia kishte rënien më të madhe mes 29 vendeve të analizuara nga “Freedom House” për raportin “Vendet në tranzicion” për këtë vit, në një krizë politike që në raport thuhet se ishte më e rënda që nga viti 2001.
 
Nga shtatë kategoritë që analizon “Freedom House”, Maqedonia pati përkeqësim në gjashtë prej tyre, me një vlerësim mesatar që nga 4.07 vitin e kaluar, ra në 4.29. Sipas raportit udhëheqës autoritarë, kanë marrë një kontroll të institucioneve shtetërore, gjë që është shumë pranë monopolizimit të shtetit.
 
“Në Maqedoni kemi rastin më të pastër në Ballkan, ku partia në pushtet ka kontroll të plotë ndaj shtetit, e cila u mundësua gjatë viteve të fundit, me çka kjo parti e zvogëloi kufirin mes partisë dhe shtetit. Me këtë VMRO-DPMNE i ktheu të gjitha institucionet shtetërore, mjetet për informim, shërbimet e prokurorisë, funksionimin e shërbimeve sekrete për interesat e veta dhe për të siguruar fuqi partiake.”- ka deklaruar drejtori i projektit “Popujt në tranzicion”, Nejt Shenkan. 
 
Sipas tij, afera e përgjimeve të publikuara nga opozita nxori në pah përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të partisë në pushtet në korrupsion dhe aktivitete kriminale, që prekte pothuajse të gjitha kategoritë. Kriza vazhdon edhe sot, thotë Schenkkan, duke iu referuar deklarimeve të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet në qershor.
 
“Nuk na takon ne të themi a është vendimi i duhur, por duket se do të zgjasë krizën politike dhe është e vështirë ta imagjinosh se si mund të zgjidhet kjo krizë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu është e vështirë të imagjinohet se si mund të kthehet Maqedonia në një trajektore pozitive, për sa i takon demokratizimit pa reforma thelbësore që u parashikuan nga marrëveshja e verës së kaluar.”- thotë Schenkkan. 
 
Të gjithë këta faktorë, thuhet në raport, do të përcaktojnë rrugën që do të marrë Maqedonia për sa i takon qeverisjes demokratike në vazhdim të vitit 2016. Shqipëria në raport vazhdon të konsiderohet një qeveri transicioni ose regjim hibrid. Si vlerësim pikësh Shqipëria ka 4.14, njëlloj si vitin e kaluar.
 
Kosova ka shënuar një përparim të lehtë nga 5.14 në 5.07, falë përmirësimeve në median e pavarur dhe qeverisjen lokale.
 
Megjithatë, vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara dhe  ishte i ngadaltë për vitin 2015.
 
Raporti thotë se zhvillimet e  brendshme ballkanike tani rrezikojnë të ndërlikohen nga mbyllja e kufijve evropianë për të mos lejuar migrantët që të arrijnë në vendet e BE-së përmes rrugës së Ballkanit.
 
Por, kriza e imigracionit nuk duhet të bëhet një justifikim për të izoluar Ballkanin nga pjesa tjetër e Evropës, potencohet në raport.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU