Maqedoni

Ministri Lutfiu dhe zëvendësministri Pollozhani takojnë përfaqësuesin e Zyrës franko-gjermane

12.04.2016 12:54

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, i shoqëruar nga zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjes, Faton Pollozhani...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, i shoqëruar nga zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjes, Faton Pollozhani, realizoi një  takim me përfaqësuesin e Zyrës franko-gjermane për Bashkëpunim Rinor, Frank Moravietz. Në fokus të takimit ishte ideja e themelimit të Zyrës për Bashkëpunim Rinor Rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
Moravietz, në cilësinë e moderatorit të takimeve të grupeve punuese, të cilat punojnë në konkretizimin e idesë për themelimin e Zyrës për Bashkëpunim Rinor Rajonal, informoi detalisht për gjithë procesin që nga zanafilla e vetë iniciativës për themelimin e kësaj zyre, e më pastaj për gjithë vijueshmërinë e procesit.
 
Moravietz kërkoi mbështetje për përmbylljen me sukses të këtij projekti shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Ballkanit. 
 
Ministri  Lutfiu dhe zëvendësministri Pollozhani shprehën  gatishmëri për mbështetjen e fuqishme të kësaj iniciative. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka qenë pranë këtij procesi që nga fillimi i tij dhe do vazhdojë të jetë gjithmonë pranë, me qëllim të edukimit sa më cilësor të brezave të rinj. 
 
Ministri Lutfiu do të marrë pjesë edhe në konferencën që do realizojë Zyra franko-gjermane në Shkup në fund të këtij muaji, për të promovuar idenë e bashkëpunimit sa më të fuqishëm rajonal mes të rinjve.