Raporti i “Freedom House”, reagojnë partitë jashtëparlamentare

12.04.2016 15:34

Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se raporti i fundit i “Freedom House” vërteton se vendi vazhdon të mbetet shembulli më i keq për liri, demokraci dhe luftë kundër korrupsionit..

“Partitë politike në qeveri do të duhet që patjetër të ndalojnë presionet ndaj institucioneve shtetërore dhe presionet e jashtëzakonshme ndaj mediave. Këto argumente duhet edhe më fuqishëm të bindin komunitetin ndërkombëtar se vendi ende është shumë larg organizimit të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, dhe e gjithë koncentrimi duhet alokuar në zgjidhjen e çështjeve kruciale që nuk e lejojnë zhvillimin e vendit.”- thonë nga RDK.

LR-PDSh vlerëson se raporti është dhe një fakt të keqqeverisjes së partnerëve të koalicionit, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë shënuar vetëm rënie të nivelit demokratik në vend.

“Raporti vërteton se në këtë gjendje, qeveria aktuale nuk ka mundësi të organizojë zgjedhje fer dhe demokratike, sepse shteti shënon ulje të pavarësisë së mediave apo gjyqësorit dhe ka probleme në proceset zgjedhore.”- thonë nga LR-PDSh.

Edhe nga Lëvizja BESA thonë se raporti është një argument më shumë se nuk mund të shpresohet për zgjedhje të lira dhe korrekte, në të cilat do të respektohej vullneti demokratik i qytetarit.

“Pa pastrimin e listës zgjedhore, pa reformat e patjetërsueshme në media, pa qeverisje lokale dhe shtetërore demokratike, me një sistem juridik jofunksional dhe me një rritje të korrupsionit në shkallët më të larta, Maqedonia jo vetëm që nuk mund të pretendojë për zgjedhje demokratike, por, kështu siç është, edhe një herë do të përsëriten zgjedhjet e manipuluara, në të cilat do të shkelet e drejta e qytetarit, ndërsa kjo mund të prodhojë kriza edhe më të rënda se kjo që e kemi tani.”- thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA. (Gazmend Rexhepi, TVM2)