Sheshel serbëve të Kosovës iu drejtua nga Beogradi

12.04.2016 15:57

Në sheshin e veriut të Mitrovicës, rreth 100 përkrahës të radikalit serb, Voisllav Sheshel, kishin dalë për ta pritur atë, por Sheshel nuk shkoi, megjithatë përkrahësve të tij iu drejtua nga Beogradi nëpërmes audioparlantit...

Sheshel me këtë rast ka thënë se Qeveria “tradhtare” e Serbisë dhe “separatistët” shqiptarë nuk e kanë lejuar të vizitojë Kosovën. E derisa dëgjonin liderin radikal përkrahësit e tij në veri të Mitrovicës, përveç fotografive të Sheshelit, mbanin edhe fotografi të presidentit rus, Vlladimir Putin.

Ndryshe, Sheshel kishte paralajmëruar për sot një vizitë në Kosovë, por vizita e tij u kundërshtua nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka paralajmëruar se nëse Shesheli futet në Kosovë ai do të arrestohet. Po ashtu Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka lëshuar një urdhëresë për të gjitha rajonet e Policisë së Kosovës në pjesën e kufirit me Serbinë, që të mobilizohen për ta penguar futjen e Sheshelit në Kosovë. (Gyltene Sinani, TVM2)