Maqedoni
Standardi Hallall, këtë vit janë pajisur me certifikatë gjashtë kompani
12.04.2016 17:06
Standardin Hallall nga viti 2009 në Maqedoni e kanë implementuar 27 kompani, kurse gjatë tre mujorit të parë të vitit 2016...

Standardin Hallall nga viti 2009 në Maqedoni e kanë implementuar 27 kompani, kurse gjatë tre mujorit të parë të vitit 2016 këtë standard e kanë implementuar gjashtë kompani, të cilave sot iu ndanë certifikatat e standardit Hallall nga ana e kryetarit të BFI-së Reis-ul-ulema Sulejman Rexhepi.
Ndërsa në periudhën e kuartalit të dytë, pritet që numri të arrijë në 14 kompani, pasi që edhe tetë kompani janë në fazën e implementimit të këtij standardi.
“Hallall standardi nënkupton sigurim shtesë në industrinë ushqimore, se prodhimet ushqimore janë të shëndetshme, kualitative dhe se të njëjtat prodhime nuk përmbajnë elemente kancerogjene, as ngjyra të dëmshme, aromë, aditivë, emulgatorë të ndaluar sipas rregullave islame, që nënkupton sigurim shtesë në ruajtjen e shëndetit të njeriut.”- deklaroi drejtori i Agjencisë për standardin Hallall, Muhamer Veseli.
Në këtë drejtim, Ministria e Ekonomisë tre vite radhazi ndan subvencione për kompanitë të cilat implementojnë standardin Hallall. Në këtë vit, Ministria e Ekonomisë mbulon gjithsej 70% të shpenzimeve të kompanive.
“Ministria e Ekonomisë fuqimisht edhe këtë vit vazhdon me përkrahjen e kompanive për aplikimin dhe certifikim e standardit Hallall, për çka është siguruar edhe buxheti prej rreth 2 milion denarëve, sikur deri tani lëndë e thirrjes publike, dhe subvencionimi i ndërmarrjeve për aplikimin dhe certifikimin e sistemit Hallall përmes bashkëfinancimit të 70% të shpenzimeve të dëshmuara për këtë qëllim, por jo më shumë se 200 mijë denarë në veçanti për secilin subjekt afarist.”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Ndërsa nga komuniteti i biznesit thonë se për të qenë një kompani e suksesshme ajo duhet që të posedojë edhe standardin Hallall.
“Standardet Hallall janë veçse një traditë katërvjeçare në Maqedoni, me atë që ky standard aplikohet në shumicën e shteteve të Unionit Evropian dhe paraqet një cilësi, kualitet dhe një dëshmi për kompani konkurruese me të gjitha karakteristikat që duhet t’i plotësojë që të jetë sa më e suksesshme në tregun vendor dhe në tregun ndërkombëtar.”- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Një ndër kompanitë e cila fitoi certifikatën ishte edhe kompania “Vitaminka”.
“Jemi një ndër kompanitë më të mëdha ushqimore në Maqedoni me më shumë se 20 milion euro profit vjetor. Ne tani me këtë do të vazhdojmë me eksportin intensiv në të gjitha tregjet botërore, por edhe në vendet myslimane presim fitim më të madh”- u shpreh Simo Naumovski nga “Vitaminka”.
Përfaqësuesit e BFI-së thanë se viteve të fundit vëmendje e veçantë i kushtohet edhe turizmit Hallall, i cili në çdo vit është në rritje mbi 20%, prandaj apeluan që të gjithë agjencitë turistike në vend t’i kushtojnë vëmendje kësaj fushe.
ERSAN PAJAZITI
