VMRO këmbëngul për zgjedhje më 5 qershor, mbështetet edhe nga partnerët e koalicionit
Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE do të shkojë në zgjedhje më 5 qershor...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në takim me kryetarët e partive politike nga koalicioni "Për një Maqedoni më të mirë" kanë rënë dakord që të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit.
Sipas anëtarit të Komitetit ekzekutiv të partisë më të madhe në pushtet, Nikolla Popovski, alternativë tjetër, veç mbajtjes së zgjedhjeve dhe kthimit të mandatit të qytetarët, nuk ka.
“Mendoj se jemi në fazë në të cilën duhet të jetë e qartë se më pesë qershor do të kemi zgjedhje. Çdokush ka të drejtën të vendos nëse do të marrë pjesë në ato zgjedhje ose jo. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politik që të marrin pjesë në këtë garë zgjedhore dhe përfundimisht qytetarët të vendosin se çfarë përbërje do të ketë parlamenti i ardhshëm dhe cila do të jetë qeveria e ardhshme, e cila do të ketë detyrë të zgjidh problemet e tyre.”- deklaroi Nikolla Popovski nga VMRO-DPMNE.
Popovski tha se VMRO-DPMNE nuk do të diskutojë më datën e zgjedhjeve, pasi ajo tashmë është konfirmuar, ndërsa Kuvendi është shpërndarë në harmoni me ligjin dhe Kushtetutën.
Edhe partnerët e koalicionit të VMRO-së, si: Opsioni qytetar për Maqedoninë GROM; Partia socialiste dhe Partia e demokratëve të bashkuar PODEM kanë ftuar opozitën që të rishqyrtojë vendimin e saj për të bojkotuar zgjedhjet.
Sipas tyre, me zgjedhjet e pesë qershorit do t’i jepet fund krizës politike dhe agonisë së vendit në përgjithësi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
