Maqedoni

Kriza politike, Ivanov i fal të gjithë, edhe pozitën dhe opozitën

12.04.2016 17:12

Presidenti, Gjorge Ivanov, vendosi të firmosë faljen e të gjithë politikanëve të cilët janë nën hetime, ndaj të cilëve është ngritur procedurë hetimore...

Presidenti, Gjorge Ivanov, vendosi të firmosë faljen e të gjithë politikanëve të cilët janë nën hetime, ndaj të cilëve është ngritur procedurë hetimore, si dhe për një politikan i cili është duke vuajtur dënimin me burg.
 
Kreu i shtetit thotë se me këtë vendim ka si qëllim t’i japë fund krizës politike në të mirë të interes të shtetit dhe të qytetarëve.
 
“Kriza është interes dhe ide e tjetërkujt. Dikush dëshiron të arrijë qëllimet e tij duke vënë kundër njëri-tjetrit forcat politike dhe përkrahësit e tyre. Ajo që ndodhi në të kaluarën rezultoi me një kompromentim të paparë politik, me politikë të shkatërrimit dhe qërim hesapesh mes kundërshtarëve, me revanshizëm dhe urrejtje deri në konfrontime personale. Shikoni çfarë u bëri kjo politikanëve në qeveri dhe opozitë. Aq shumë luftuan mes tyre, sa punët dolën jashtë kontrollit dhe hynë në sferën personale. U hapën aq shumë vepra penale, sa tani edhe njëra edhe tjetra palë janë të gatshëm të përdorin çfarëdolloj mjeti vetëm që të mos humbasin në zgjedhjet e ardhshme, sepse nuk e dinë se deri ku është e gatshme të shkojë pala tjetër me thellimin e revanshizmit, urrejtjes dhe ksenofobisë.”- deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gorge Ivanov.
 
Vendimi, që u firmos nga kreu i shtetit, hyn në fuqi menjëherë. Ivanov ka theksuar se vendimin e ka marrë vetë dhe se për këtë nuk i ka njoftuar politikanët për arsye se ndoshta ndonjëri prej tyre ndihet i pafajshëm dhe këtë dëshiron ta tregojë përmes procedurës gjyqësore.
 
Ivanov theksoi se është i përgatitur që t`i pranojë të gjitha kritikat të cilat pas këtij vendimi do të arrinin në adresë të tij, por është i bindur se ka sjellë një vendim të drejtë.
 
GAZMEND REXHEPI