Maqedoni

Katër vite nga “Monstra”, rasti pret vendimin e Gjykatës Supreme

12.04.2016 17:25

Edhe pas katër vitesh, rasti “Monstra” ende nuk ka epilog përfundimtar gjyqësor...

Të akuzuarit dhe familjarët mbetën në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me ankesën e palës mbrojtëse ndaj vendimit të Gjyqit Themelor, i cili u pati shqiptuar burg të përjetshëm gjashtë të akuzuarve, megjithëse ata kategorikisht mohojnë të kenë kryer veprën. 
 
“Për këtë rast ne bëmë ankesën e dytë, pasi që është në pyetje burg i përjetshëm si dënim. Sipas Ligjit për procesin penal është e dyfishtë ankesa. Ankesën e dytë te Gjyqi Suprem e kemi dorëzuar më 4 janar të gjithë avokatët në të njëjtën ditë dhe presim seancën publike për këtë rast, praktikisht thirrje nga Gjykata Supreme.”- deklaroi avokati, Naser Raufi.
 
Ky rast është i montuar, vlerëson pala mbrojtëse, sipas të cilës përgjegjësia duhet të bie mbi MPB-në dhe Prokurorinë Publike, pasi, siç thotë avokati mbrojtës, ata e kanë krijuar këtë rast. 
 
“Praktikisht është i montuar që nga fillimi kur u thye edhe prezumimi i pafajësisë nga ana e ish ministres së Punëve të Brendshme, ku para se të shkojnë te gjykatësi hetues, e njëjta deklaroi se këto janë ato që kanë realizuar këtë delikt. Mendoj që prej kësaj deklarate kishim një inversion nga ana e Gjyqit Themelor dhe Apelit, por mendoj se në fund në seancën publike para Gjykatës Supreme, me mbështetje dhe involvimin e kësaj Prokurorie, këtu e ka vendin Prokuroria Publike, por të cilës nuk i besojmë, pasi biles mendojmë që montimi është nga MPB dhe Prokuroria. Te Gjykata Supreme do të dalë e vërteta për këtë rast.”- tha avokati, Naser Raufi.
 
Raufi shpreson që së shpejti Prokuroria Speciale do të prononcohet zyrtarisht për marrjen e këtij rasti dhe kështu do të mund që përfundimisht rasti “Monstra” të zbardhet, ndërsa gjashtë personat e dënuar me burg të përjetshëm të lirohen. 
 
SANIJE DURAKU