Shtohen tensionet në Idomeni, Ivanov: BE të ndihmojë në zbrazjen e kampit në Idomeni
Shtohen tensione në kampin Idomeni në Greqi, ku 11 mijë migrantë shpresojnë në hapjen e rutës ballkanike drejt Evropës...

Rreth 200 migrantë kurdë dhe afganë janë rrahur mes veti, informojnë mediat greke. Incidenti nuk është përhapur në territorin e Maqedonisë. Në ndërkohë, migrantët kanë djegur një nga vagonët e hekurudhës greke që ishte lënë si vendstrehim për migrantët. Me të përhapur flakët e zjarrit, familje migrantësh janë evakuuar në kohë nga vagoni.
Ndërkohë që forcat policore greke janë shtuar në vendkalimin kufitar me Maqedoninë, ku gjatë fundjavës tre mijë migrantët tentuan dhunshëm të kalojnë kufirin. Edhe gjatë ditës migrantët, të mbledhur në grupe më të vogla, thërrisnin për hapjen e kufirit.
Presidenti, Gjorge Ivanov, në një intervistë për televizionin grek MEGA kërkoi nga BE që të ndihmojnë Greqinë të zbrazë kampin në Idomeni, ku ka tentime për kalim ilegal të kufirit. Ivanov tha se nuk do të lejojnë një gjë të tillë.
“Institucionet e Maqedonisë ndërmorën të gjitha aktivitet që të ndërpritet hyrje masive e migrantëve në territorin tonë. Ftoj BE-në që të ndihmojë Greqinë të zbrazë kampin në Idomeni, ku kohëve të fundit realizohen të gjitha kalimet ilegale dhe gjithashtu përgjatë korridorit, i cili u mbyll me vendim të Brukselit. Përderisa ekziston një vendim i tillë, ne do ta respektojmë dhe nuk do të lejojmë kalim ilegal në territorin tonë. Nuk i ka hije në vendi, anëtar i BE-së dhe NATO-s, një vendi që ka marrë pjesë në miratimin e këtij vendimi për mbylljen e korridorit, që mos ta respektojë të njëjtën dhe të lejojë që të rrezikohet territori i vendit fqinj.”- deklaroi presidenti, Gjorge Ivanov.
Ivanov gjithashtu ka theksuar se Maqedonia nuk ka pasur asnjë informacion nga pala greke për zhvillimet në Idomeni dhe për mundësinë e krijimit të një incidenti.
Nga Organizata botërore “Mjekët pa kufij” thonë se jeta në Idomeni po zhvillohet me shumë vështirësi. Sipas tyre, kampi do të jetë i stërmbushur me migrantë, përderisa aty brenda qarkullojnë spekulime se do të hapet kufiri greko-maqedonas. Por, zëdhënësja e qeverisë greke, Olga Gerovasili, në një deklaratë për media është shprehur se Qeveria greke vazhdimisht informon migrantët se ruta ballkanike është mbyllur.
Synimet e Qeverisë greke, sipas Gerovasilit, janë që deri për festën e Pashkëve të gjithë migrantët të dislokohen në qendrat për migrantë në mbarë vendin. (Meral Ismaili, TVM2)
