Zaev: Ministrat e LSDM-së do të padisin qeverinë
Ministrat e LSDM-së nuk pajtohen me vendimin e qeverisë për t’i shfuqizuar vendimet e tyre, prandaj paralajmëruan edhe padi penale kundër Qeverisë...

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se ministrat në dorëheqje, Oliver Spasovski dhe Frisina Remenski, nuk do t’i përfillin vendimet e qeverisë, të cilat sot kanë hyri në fuqi, për anulimin e të gjitha vendimeve në Ministrinë e Brendshme dhe asaj për Punë dhe Politikë Sociale.
“Të dy ministrat hapën procedurë ligjore për kontestimin e një vendimi të tillë përpara institucioneve kompetente, shpresoj se ka bazë edhe për padi penale, nëse ka bazë ekipet juridike do të vërtetojnë këtë. Përveç procedurave ligjore, procedurës së ankimimit për anulimin e një vendimi të tillë, do të ngrihen edhe paditë penale. I inkurajoj në mënyrë publike, nëse dikush ka shkelur ligjin gjatë miratimit të një vendimit të tillë, qoftë edhe Qeveria e Maqedonisë, duhet të përgjigjet penalisht...Oliver Spasovski është i obliguar që në bazë të ligjit, nga ajo që e di nga ekspertët juridik, t’iu kumtojë të gjithë udhëheqësve të mos veprojnë lidhur me këtë vendim”, deklaroi Zaev.
Kreu i LSDM-së, njëherit, përsëriti qëndrimin për të mos marr; pjesë në zgjedhje pa listë të pastruar zgjedhore, ndërkohë që u shpreh i bindur se KShZ-ja nuk do të mund të pastrojë listën në afatin e parashikuar ligjor. Zaev u apeloi edhe partive tjera që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit.
