Rama nga ShBA paralajmëron: Në nëntor Samiti mbarëshqiptarë i diasporës
Tirana do të mirëpresë në muajin nëntor të këtij viti Samitin mbarë shqiptar të diasporës...

Kryeministri, Edi Rama, deklaroi gjatë vizitës së zhvilluar në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Samiti do të jetë momenti për të treguar se shqiptarët vërtet jetojnë në vende të ndryshme të botës, por ndihen të bashkuar.
“Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë, se në nëntor të këtij viti do të organizojmë Samitin e parë të Diasporës Shqiptare në Tiranë. Samiti do të jetë një event madhor, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga çdo kënd i botës, në më shumë se 50 vende, për hapat konkret që mund të hedhim për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis nesh. Do të jetë momenti për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por të ndihemi një; gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, parimeve tona, vendosmërisë sonë kulturore, gjuhës dhe përkatësisë sonë, identitetit tonë unik shqiptar”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri, Edi Rama, është takuar me kreun e shtetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio. Dy bashkëbiseduesit folën për marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-amerikane, por edhe rolin që ShBA ka luajtur në mbrojte të interesave kombëtare shqiptare. Kryebashkiaku de Blasio e përgëzoi kryeministrin Rama për reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në Nju Jork. (Luljeta Ndoka, TVM2)
