Maqedoni

Aksidenti i një dite më parë në Gostivar, 13 vjeçarja transferohet për kurim në Shkup

12.04.2016 18:47

Vajza 13 vjeçare, e cila pësoi lëndime shumë serioze si pasojë e aksidentit që ndodhi dje në rrugën lokale në fshatin Padalisht...

Vajza 13 vjeçare, e cila pësoi lëndime shumë serioze si pasojë e  aksidentit që ndodhi dje në rrugën lokale në fshatin Padalisht, përfundoi në Shkup dhe ende ndodhet në rrezik jete.
 
Veç saj, pasditen e djeshme në klinikat e Shkupit janë dërguar edhe tre persona të tjerë, drejtuesi i furgonit K. M., 56 vjeçar, bashkëshortja e tij, Xh. M., 54 vjeçare, e cila ka qenë në furgon dhe një fëmijë 11 vjeçar. Fatmirësisht gjendja e këtyre tre të fundit është stabile. 
 
Shefi i Repartit të Kirurgjisë në Gostivar, Jakup Jakupi, thotë që ata si staf i Spitalit të Gostivarit janë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët nga Shkupi dhe sipas informatave që vijnë nga ata, gjendja e pacientëve paraqitet e qëndrueshme. 
 
Ndërkaq, dhjetë të aksidentuarit tjerë, të cilët u mbajtën për shërim në Spitalin e Gostivarit, të gjithë janë mirë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetë. Për gjendjen e tyre shëndetësore flasin vetë të aksidentuarit dhe familjarët e tyre. Thonë se ndihen mirë pas gjithë atij aksidenti të tmerrshëm.
 
Të pyetur nëse mbajnë mend se si ndodhi aksidenti, ata thonë se nuk mbajnë mend asgjë, pasi gjithçka ka ndodhur vetëm për një çast sa hap e mbyll sytë.
 
Trajtimi dhe intervenimi ndaj të lënduarve në aksident nga ana e punonjësve të Spitalit të Gostivarit ka qenë në nivel dhe vazhdon të jetë i mobilizuar në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të të lënduarve.
 
Ndryshe, 14 persona të lënduar, 10 prej të cilëve fëmijë nën moshën 10 vjeçare, është bilanci i aksidenti rrugor në fshatin Padalisht.
 
Aksidenti në fjalë ndodhi dje rreth orës 13.00, kur furgoni, i cili barte udhëtarët, doli nga rruga, duke përfunduar në greminë.
 
LULZIM HAZIRI