“Panama Papers”, bastiset zyra e “Mossack Fonseca”-s
Policia në Panama ka bastisur selinë e një firme ligjore, për shkak të rrjedhjes masive të të dhënave...

Bastiset zyra qendrore në Panama e “Mossack Fonseca”-s për gjurmë të aktiviteteve të paligjshme. Bastisja në selinë qendrore vjen pas bastisjes së zyrave në Ekuador, pasi studioja ligjore në zemër të skandalit “Panama Papers” është akuzuar për mashtrime dhe evazion fiskal.
Rrjedhja gjigante e mbi 11.5 milionë dokumenteve të 40 viteve ekzistencë të saj tronditi mbarë botën më 3 prill, kur hodhi dritë mbi mënyrën sesi i përdorin të pasurit dhe të pushtetshmit kompanitë “offshore” për të fshehur asetet e tyre.
Për rrjedhojë, kryeministri i Islandës, Sigmundur David Gunnlaugsson, dha dorëheqjen dhe tensionet po shtohen mbi një sërë udhëheqësish të tjerë apo të afërmish të tyre në të gjithë globin, përfshirë këtu kryeministrin britanik, David Cameron, dhe presidentin e Kinës, Xi Jinping.
Bashkëthemeluesi i firmës ligjore, Ramon Fonseca, këmbëngul se kompania nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka shkatërruar asnjë dokument dhe se të gjitha operacionet e saj kanë qenë të ligjshme.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm, aty ku Fonseca depozitoi ankesën e tij se firma ishte vjedhur piratisht nga jashtë kufijve, deklaroi se do të ketë kontrolle në të gjitha degët e saj. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
