SHËNDET

Ushqimi me shumë proteina, i dëmshëm sa duhani

05.03.2014 02:49

Hulumtimi i Universitetit të Kalifornisë Jugore, i cili ka kontrolluar me mijëra të rritur për më shumë se 20 vjet, ka zbuluar se njerëzit që hanë ushqime të pasura me proteina të kafshëve kanë gjasa dy herë më shumë të vdesin nga kanceri sesa ata që hanë ushqime me proteina të pakta....

Të ushqehesh me shumë proteina mund të jetë aq e dëmshme për shëndetin tuaj sa edhe pirja e cigares. Kjo vlen më së shumti për personat e moshës së mesme, thotë një studim shkencor.

Hulumtimi i Universitetit të Kalifornisë Jugore, i cili ka kontrolluar me mijëra të rritur për më shumë se 20 vjet, ka zbuluar se njerëzit që hanë ushqime të pasura me proteina të kafshëve kanë gjasa dy herë më shumë të vdesin nga kanceri sesa ata që hanë ushqime me proteina të pakta.

Rreziku është pothuajse i njëjtë me rrezikun e zhvillimit të kancerit nga pirja e 20 cigareve në ditë.

Studime të mëhershme kanë treguar një lidhje në mes të kancerit dhe mishit të kuq, por është kjo hera e parë që një hulumtim ka matur rrezikun e vdekshmërisë së shkaktuar nga konsumimi i proteinave të tepruara.

Studimi amerikan ka zbuluar se njerëzit që hanë ushqime me nivele të larta të proteinave kanë mundësi 74 për qind më shumë të vdesin nga çdo sëmundje brenda periudhës së studimit sesa homologët e tyre me ushqime me më pak proteina. Gjasat tek ta ishin më të mëdha të vdesin madje edhe nga diabeti. Por, ky trend, sipas studimit, nuk aplikohet edhe tek moshat mbi 65-vjeç.