Ekonomi

Debat publik: Sa bizneset dhe universitetet bashkëpunojnë?

13.04.2016 13:27

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha sot morri pjesë në debatin publik...

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha sot morri pjesë në debatin publik të organizuar nga Universiteti Shtetërorë i Tetovës, mbi temën“Bashkëpunimi mes universitetit dhe industrisë, sfidat dhe mundësitë e ndikimit në zhvillimin ekonomik”.
 
Në këtë debatë, të ftuar ishin afaristët, përfaqësuesit e fakulteteve që janë në mënyre direkte të lidhura me biznesin, profesorë dhe studentë.
 
Ajo që u diskutua në këtë debat ishte se sa në të vërtetë bizneset dhe universitetet bashkëpunojnë mes veti, me qëllim që të zvogëlojnë dallimin  mes kërkesës për fuqi puntore dhe profileve ekzistuese profesionale në tregun e punës. Komuniteti i biznesit dhe universitetet paraqesin dy faktorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik, meqë të parët ofrojnë mundësi punësimi, kurse të dytët prodhojnë kuadro të reja në vazhdimësi.
 
Kryetari Nebi Hoxha, tha që Oda si përfaqësuese e biznesit shqiptar në Maqedoni gjithmonë angazhohet për mbrojtjen e interesave të kompanive të saja anëtare, duke mos përjashtuar këtu as fuqinë punëtore të cilën ato e posedojnë apo e kërkojnë.
 
Rrjedhimisht, përvoja e komunitetit të biznesit tregon se sa më shumë të jetë i specifikuar profili i puntorit të kërkuar, aq më rëndë është të gjindet një i tillë në treg. Çka është edhe më brengosëse, edhe kur ndodh të gjejnë atë, në të shumtën e rasteve i njëjti nuk është i përgatitur profesionalisht në përputhje me pritjet që dalin nga diplomimi i tij.
 
Andaj, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore, kërkon përputhje mes kuadrove që prodhohen në universitete dhe atyre që kërkohen në treg,  përmes kontributit të saj në hulumtimin e nevojave të biznesit dhe më pas të përpilohen politika nxitëse për drejtimet deficitare (p.sh. përmes vendosjes së kuotave, dhënies së stipendioneve, sigurimin e vendpunësimit pas diplomimit e tjera). 
 
"Përveç universiteteve, edhe vetë bizneset duhet të angazhohen në  tërheqjen e nxënësve që të shkathtësohen në përputhshmëri me nevojat e tyre duke ju ofruar stipendione dhe duke  u siguruar punësim në kompanitë që udhëheqin. Me pak fjalë, komunikimi dhe bashkëpunimi mes biznesit dhe universiteteve është i patjetërsueshëm" – tha kryetari Hoxha.