Maqedoni

Migrantët protesta të reja në Gjevgjeli; Ivanov, Pahor dhe Kitaroviq nuk shkuan në pikën 59

13.04.2016 14:31

Policia e Maqedonisë ka hedhur sërish gaz lotsjellës për ta shpërndarë një grup të migrantëve që po protestonin pranë gardhit në vijën kufitare me Greqinë...

Organizatat ndërkombëtare që shërbejnë në kampin në Idomeni alarmojnë se rreth 12 mijë refugjatët në kamp, mes tyre edhe 5 mijë e 500 fëmijë përballen me kushte tejet të vështira.
 
Protestat në kufi detyruan presidentin e Maqedonisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, Gjorgje Ivanovin, Kolinda Grabar Kitaroviqin dhe Borut Pahorin, të anulojnë vizitën e paralajmëruar në vendkalimin kufitar 59 në kufirin Maqedoni-Greqi.
 
Tre presidentët arritën vetëm deri në qendrën e pranimit të refugjatëve në Gjevgjeli. Pak metra më tej, migrantët kërkonin t’u lejohet të vazhdojnë rrugën drejt BE-së. Por, presidentët thanë se korridori ballkanik për transitim të migrantëve nuk do të hapet.
 
“Migrantët edhe më tej insistojnë të hapet ruta ballkanike, por ajo mbetet e mbyllur, derisa shtetet që ata i kanë si destinacion nuk deklarohen nëse do t’i pranojnë apo jo. BE dhe vendet anëtare patjetër të japin porosi të qartë se çka më tej, sepse ky presion i migrantëve nuk do të ndalet derisa ato porosi nuk do të jenë të qarta.”- deklaroi presidentja e Kroacisë, Kolina Grabar Kitaroviq.
 
“Korridori është në këtë gjendje për shkak të vendimit të Brukselit dhe ne e respektojmë atë vendim, dhe derisa një vendim i tillë është në fuqi, Maqedonia patjetër të sillet kështu, ta ruaj kufirin e saj dhe në atë mënyrë edhe korridorin në të cilin në periudhën e kaluar kanë transituar pothuajse 1 milion migrantë.”- theksoi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Kroacia dhe Sllovenia do të vazhdojnë të ndihmojnë Maqedoninë për t’u përballur me krizën e migrantëve, qoftë nëpërmjet pranisë së pjesëtarëve të policisë apo edhe me mbështetje materiale. 
 
GYLTENE SINANI