Analistët në “Argument”: S’ka qetësi nëse shfajësohen politikanët, shqiptarët të kërkojnë hise
Përplasje vlerësimesh në “Argument” në TVM2, nëse vendi do dalë nga kriza apo ajo do të thellohet pas vendimit të presidentit, Gjorge Ivanov, për të falë politikanët ndaj të cilëve është ngritur procedurë hetimore....

Analisti politik, Albert Musliu, kundërshton ashpër qëndrimin e opinionistit, Qani Mehmeti, sipas të cilit presidenti me faljet do ta nxjerrë vendin nga kriza.
Musliu thotë se nuk mund të krijohet qetësi në një vend ku politikanët lirohen nga përgjegjësia penale.
“Kryetari i shtetit nuk mendoj se ka marrë këtë vendim për ta thelluar krizën në Maqedoni edhe për të rrëshqitur vendi në një luftë civile. Unë mendoj që e ka marrë vendimin për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë”- deklaroi opinionisti, Qani Mehmeti.
“Shumica e qytetarëve në Maqedoni, kur u vjen postieri te dera kanë shqetësim a do ju vijë letër prej përmbaruesit, a do ju vijë rryma, a do ju vijë kjo apo ajo, ndërsa këto bëjnë hajni, vjedhin, vrasin, keqpërdorin, mbyllin, rrahin edhe në fund kryetari thotë do ua fali për qetësi, si bëhet kjo? Nuk ka qetësi ku ka papërgjegjësi”- tha analisti politik, Albert Musliu.
Gazetari, Lirim Dullovi, thotë se Ivanov shfuqizoi shtetin. Sipas Dullovit, tanimë nuk ekziston Marrëveshja e Përzhinës, përfshi këtu edhe Prokurorinë Speciale. Ky është moment historik për shqiptarët, që të kërkojnë hisen karshi maqedonase, thotë Dullovi.
“Ne, në qoftë se e pranojmë këtë situatë, ok nuk prish punë, nxirri prej burgu, mos i ndjek ata persona, ne do të vazhdojmë të jetojmë në një agoni ku pesha jonë politike si shqiptarë çdo herë do të jetë e limituar për shkak se ne nuk i shfrytëzojmë momentet. Ky është moment historik për t’u ulur dhe për të thënë: prej sot ne fillojmë prej zero, doni së bashku mirë, s’doni së bashku atëherë tungjatjeta, ne mund të bëjmë një parlament tonin. Për çfarë shteti ne do të angazhohemi? Ne çdo herë duke luajt rolin konstruktiv si shqiptarë dhe krenohemi se ishim pala më konstruktive, i shpëtuam bisedimet. Ne i shpëtojmë të tjerët, ndërsa vetveten e kemi lënë anash”- theksoi themeluesi i Gazetës “Koha”, Lirim Dullovi.
Sipas analistëve, gjithsesi, në këtë periudhë nuk do të mungojë trysnia e faktorit ndërkombëtar, që mos të anulohet veprimtaria e Prokurorisë Speciale, që është interes i qytetarëve për të zbardhur krimet në shtet. (Meral Ismaili, TVM2)
