Amsterdam, evakuohet aeroporti pas dyshimeve për bombë

13.04.2016 15:09

Aeroporti i “Shipol”-it në Amsterdam u evakuua pjesërisht mbrëmjen e së martës, pas zërave se aty mund të ishte vendosur një bombë...

Policë të armatosur rëndë rrethuan pjesën më të madhe të tij, e një person u arrestua pas asaj që forcat e rendit e përshkruan si “situatë të dyshimtë”.

Ekspertë të çaktivizimit të bombave mbërritën me urgjencë në vendngjarje e i kontrolluan bagazhet e individit të ndaluar, por nuk u gjet asnjë eksploziv. Një numër i madh pasagjerësh, që donin të dilnin prej andej, mbeten të bllokuar në aeroport, por fluturimet nuk u prekën nga incidenti.

Holanda është në gatishmëri të lartë që prej sulmeve terroriste të Brukselit muajin e kaluar, ndaj dhe zyrtarët e anti-terrorit atje e kanë forcuar ndjeshëm sigurinë në aeroporte, si dhe kanë shtuar kontrollet në kufirin jugor të vendit me Belgjikën.