Botë

Konflikti sirian, luftimet në Aleppo rrezikojnë dialogun për paqe

13.04.2016 16:00

OKB nisi një raund të ri bisedimesh në Gjenevë, në përpjekjen për t’i dhënë fund konfliktit në Siri...

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura, paralajmëron se, ekziston një nevojë urgjente për bashkëpunimin e qeverisë me opozitën, në mënyrë që të hidhen hapa drejt transicionit politik.

Diplomati suedezo-italian theksoi gjithashtu rëndësinë e madhe të mbajtjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA dhe Rusia, si dhe hyrjes së ndihmave në çdo cep të Sirisë.

Por, perspektiva është e zymtë me luftimet në Aleppo që kërcënojnë armëpushimin e brishtë gjashtëjavor. Përfaqësuesja e përhershme e ShBA-ve në OKB, Samantha Pouer, tha se Shtetet e Bashkuara, që mbështesin opozitën, ishin mjaft të alarmuara lidhur me njoftimin e qeverisë për një ofensivë madhore në qytetin e Aleppos.

Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, dhjetëra luftëtarë pro-qeveritarë u vranë të martën, ndërsa përpiqeshin të rimerrnin në duar fshatin al-Eis.

Ndërkohë, në zonat e kontrolluara nga qeveria po zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

Rusia, aleat kyç i Bashar al-Assadit, tha se votimi nuk cenon bisedimet e paqes dhe është në përputhje me Kushtetutën. Për opozitën dhe mbështetësit e saj, zgjedhjet janë të paligjshme dhe provokuese.