Maqedoni

Procedura për përgjegjësi, BDI: Solidarizohemi, por LSDM-së i duhen numrat

13.04.2016 16:13

BDI është pesimiste se LSDM do të mund të arrijë të revokojë në rrugë parlamentare vendimin e presidentit Ivanov, por gjithsesi solidarizohet me nismën e iniciuar...

Zëdhënësi i BDI-së thotë se që nisma të ketë sukses, LSDM-së i duhen 2/3 e votave në Kuvend, e po aq në Gjykatën Kushtetuese. Sipas BDI-së, nuk ka zgjidhje tjetër përveç respektimit të Marrëveshjes së Përzhinës.
 
“Nuk e dimë sa është efektive, pasi Kushtetuta thotë se një inkriminim i tillë mund të iniciohet nga Kuvendi me 2/3 e votave, kurse të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese po ashtu me 2/3 e votave të gjykatësve. Nuk e dimë a i ka numrat LSDM-ja. Ne do të solidarizohemi me LSDM-në me mbledhjen e nënshkrimeve, por nuk e di ndoshta vetëm humbim kohë me një iniciativë të tillë. Mendojmë se mënyra më e mirë është që urgjentisht të gjithë faktorët politikë dhe faktorët ndërkombëtarë të gjejnë zgjidhje për tërheqje ose shfuqizim të vendimit, i cili po shkel Marrëveshjen e Shkupit. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç respektimit të Marrëveshjes në të gjitha pikat e saj.”- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Kreu i BDI-së, ndërkohë, edhe sot ka kërkuar që Ivanov të tërheqë vendimin e djeshëm. Në një takim me Jan Petersen, drejtuesin e misionit të ODIHR-it në Maqedoni për zgjedhjet e jashtëzakonshme, Ahmeti e ka cilësuar vendimin si vendim kontestues dhe të padrejtë, që cenon Marrëveshjen e Përzhinës dhe të arriturat e deritanishme të saj.
 
Ahmeti u apelon politikanëve maqedonas të tejkalojnë interesat e ngushta partiake, sepse shteti, institucionet dhe qytetarët nuk mund të mbeten peng i kalkulimeve partiake dhe politike të cilësdo palë.
 
GAZMENDI KURTISHI