Botë
Këndi i lojërave në Tiranë, përplasje e ashpër Nishani-Veliaj
13.04.2016 16:39
Përplasje e ashpër mes presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanit, dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, Erjon Veliajt...

Shkak për një seri fyerjesh në adresë të njëri-tjetrit është bërë këndi i lojërave që po ndërtohet te liqeni artificial në kryeqytetin shqiptar.
Gjithçka ka nisur pasi presidenti njoftoi se do të vizitonte protestuesit. Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi një veprim të tillë të kreut të shtetit si qesharak dhe tha se Bujar Nishani do të mbahet mend si i pari president në botë që prish një kënd lojërash për fëmijë.
Nga mjediset e parkut të liqenit ka reaguar presidenti, duke u shprehur se këto janë sulme rrugaçërore në adresë të institucionit të presidencës.
Këndi i lojërave në mjediset e parkut të liqenit artificial është kundërshtuar që në fillim nga shoqëria civile, e cila ka akuzuar bashkinë se po betonizon të vetmen “mushkëri” të kryeqytetit. Por, sado që Veliaj e ka mohuar një gjë të tillë, duket se betoni nuk do të mungojë.
LULJETA NDOKA
