Maqedoni

Vendimi i Ivanovit për falje, opozita ngre procedurë për përgjegjësi

13.04.2016 16:44

Grupi parlamentar i opozitës maqedonase i kryesuar nga LSDM, ngriti procedurë për të konstatuar përgjegjësinë e presidentit, Gjorge Ivanov...

Grupi parlamentar i opozitës maqedonase i kryesuar nga LSDM, ngriti procedurë për të konstatuar përgjegjësinë e presidentit, Gjorge Ivanov, për vendimin e tij për të falur të gjithë politikanët që janë në konflikt me ligjin.
 
Sipas opozitës maqedonase, Gjorge Ivanov, me vendimin për amnisti të përgjithshme të politikanëve, grushtoi Marrëveshjen e Përzhinës, u bë mbrojtës i kriminelëve dhe shkeli kushtetutën dhe dinjitetin e qytetarëve.
 
“Ivanov me veprimin e vet jokushtetues bën diskriminim dhe ndarje mes qytetarëve, në politikanë të paprekshëm të cilët dëshiron t’i çlirojë nga përgjegjësia për vepra të rënda penale dhe qytetarë të tjerë, të thjeshtë, cilët u nënshtrohen dënimeve edhe për vepra penale mirore. Me këtë, Ivanov është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në shoqatën kriminale kundër Republikës së Maqedonisë.”- deklaroi koordinatori i grupit parlamentar i LSDM-së, Goran Sugarevski.
 
Grupi parlamentar i LSDM-së ftoi të gjithë deputetët, përfshi edhe ata të VMRO-DPMNE-së, që të nënshkruhen në nismën e tyre për të kërkuar përgjegjësi nga Ivanov.
 
“Dje, VMRO-DPMNE kumtoi se nuk pajtohet me vendimin e Gjorge Ivanovit. Nëse është ashtu, i ftojmë deputetët e VMRO-DPMNE-së që të vijnë në Kuvend dhe ta nënshkruajnë propozimin. Vetëm kështu do të dëshmojnë se janë të sinqertë në deklarata, në të kundërtën do të dëshmojnë se bëhet fjalë për marrëveshje mes tyre dhe Ivanovit.”- tha koordinatori i grupit parlamentar i LSDM-së, Goran Sugarevski.
 
Nismën e opozitës e kanë nënshkruar 37 deputetët, ndër ta edhe deputeti i pavarur, anëtari i UNITETI-t, Zulfi Adili.     
 
SHPËTIM NUREDINI