Çair-Dibër, zyrtarizohen emrat e katër shkollave
Ish-ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, para tërheqjes nga funksioni i tij ka firmosur statutet e dy shkollave fillore në Çair dhe dy shkollave në Dibër...

Ish-ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, para tërheqjes nga funksioni i tij ka firmosur statutet e dy shkollave fillore në Çair dhe dy shkollave në Dibër, duke legalizuar në këtë mënyrë pagëzimin e shkollave me emrat: Shkolla Fillore "Imri Elezi" - Çair; Shkolla Fillore "Ismail Qemali" - Çair; Shkolla Fillore "Penestia" - Dibër dhe Qendra e Mesme për Arsim të Orientuar "28 Nëntori"-Dibër.
Vendimet janë firmosur prej tij në datën 1 prill 2016 dhe vërtetojnë ligjshmërinë e përdorimit të mëtutjeshëm të emrave të zgjedhur nga këshillat e prindërve dhe këshillat në komunat përkatëse.
Kërkesat në të cilat MASh-i i mbështet vendimet për miratimin e statuteve të shkollave "Imri Elezi' dhe "Ismail Qemali" të komunës së Çairit janë dërguar në datën 28 shtator 2014, ndërsa Këshilli komunal kishte sjellë vendim për pagëzimin e shkollave me këto emra më 27 janar të 2012-tës.
Vendimi për miratimin e statutit të Qendrës për Arsim "28 Nëntorit" në Dibër është sjellë në bazë të kërkesës së dërguar në MASh-i në datës 23 nëntor 2015 dhe vendimit që Këshilli komunal i Dibrës kishte sjellë më datës 10 prill 2012.
REJHANE BUSHI-METAJ
