Maqedoni
Vendimi i Ivanovit, Maksuti: Keqpërdori kompetencat
13.04.2016 17:27
Në bazë të nenit 11 të Ligjit për falje, vendimi i presidentit Ivanov për faljen e politikanëve nga të gjitha veprat kriminale dhe korruptive është legjitim...

Legjitimitetin ia ktheu Gjykata Kushtetuese javë më parë. Njohësit e Kushtetutës, gjithsesi, thonë se edhe pse është ligjshmërisht legjitim, presidenti Ivanov ka keqpërdorur kompetencat e tij si dhe ka shkelur fshehtësinë e procedurës parahetimore.
“Vendimi i tij është keqpërdorim i kompetencave të tij kushtetuese. Vendimi i djeshëm i presidentit të shtetit është vendim skandaloz dhe absurd, pasi që në vend që presidenti të ushtrojë funksionin e tij kushtetues si garant i zbatimit të kushtetutës dhe funksionimit juridik të këtij vendi, ai jep efekt të kundërt. Ai nëpërmjet vendimit të tij legalizon korrupsionin, abuzimet dhe keqpërdorimet e pushtetit shtetëror.”- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.
Sipas Maksutit, presidenti Ivanov me urgjencë duhet t’a tërheq këtë vendim, pasi që është skandaloz dhe po thellon edhe më shumë krizën politike në vend si dhe më pas si akt moral të jep dorëheqje.
SANIJE DURAKU
