Botë

Gara presidenciale - Donald Trump akuza partisë për kurthe ndaj tij

14.04.2016 11:00

Donald Trump ka deklaruar se partia e tij po i bllokon fitoren në garën për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Ai ka akuzuar republikanët se nuk kanë lejuar mbështetësit e tij të votojnë në shtetin e Kolorados, duke i atribuuar kështu fitoren në tavolinë Ted Cruz. Kandidatura e Trump, edhe pse më i favorizuari deri tani, është e rrezikuar seriozisht, teksa ka kërcenuar me trazira nëse nuk emërohet nga partia në garën presidenciale.
 
Kandidati republikan për president Donald Trump ka lëshuar një tjetër deklaratë të fortë. Miliarderi amerikan u shpreh se liderët e partisë së tij nuk dëshirojnë që ai të fitojë të drejtën për të kandiduar.
 
Ai tha se i gjithë sistemi në këtë parti është vendosur kundër tij, duke akuzuar komitetin kombëtar republikan se po ndërton strategji në mënyrë që kandidatura e tij të mos zyrtarizohet.
 
Komentet e Trump vijnë pasi rivalit të tij Ted Cruz iu atribuan votat e të gjithë delegatëve në Kolorado, pa kryer proçesin e votimit.
 
Kryetari i Partisë Republikane Reince Priebus reagoi nëpërmjet rrjeteve sociale, duke mohuar akuzat se rregullat janë ndryshuar vetëm në rastin e Kolorados.
 
Ndërkohë Trump theksoi se mbështetësit e tij në këtë shtet nuk u lejuan të merrnin pjesë në komitetin kombëtar republikan. Megjithëse për momentin Trump udhëheq garën e breshme të republikanëve, ai mund të mos ketë delegatët e mjaftueshëm për të zyrtarizuar kandidaturën.
 
Nëse kjo ndodh atëherë në konventën e Korrikut do të jenë të lirë të votojnë sërish duke i rihapur shpresat për senatorin e Teksasit Ted Cruz apo edhe për kandidatin tjetër John Kasich.
 
Trump ka thyer premtimin e bërë në fillim të fushatës së do të mbeshtesë cilindo kandidat që do të emërojë partia, duke u shprehur se nëse nuk fiton ai, do të ketë trazira./Oranews