Futboll

Liverpool e Dortmund kërkojnë kualifikimin në gjysmëfinale

14.04.2016 15:11

Sfida që tërheq më shumë vëmendjen në cerekfinalet e kthimit për shkak të emrit që përfaqësojnë ekipet por edhe rezultatit që prodhoi përballja e parë është pa dyshim Liverpool – Borussia e Dortmundit...

Rezultati 1-1 në Signal Iduna Park sigurisht që në pamje të parë favorizon “The Reds”, por verdhezinjtë e Thomas Thuchel do të zbresin në terrenin e “Anfield Road” të bindur për ta fituar këtë superpërballje ndaj një kundërshtari që si armën më të fortë ka pikërisht ish-trajnerit e Dortmundit, Jurgen Klopp.
 
“You’ll never Walk alone” do të ndezë atmosferën në “Anfield” ende pa vërshëllyer gjyqtari për nisjen e lojës, cka garanton një tjetër mbrëmje spektakolare për të apasionuarit e futbollit të bukur.
 
Në “Sanchez Pijzuan” do të luhet akti i dytë i derbit spanjoll, Sevilla – Athletic Bilbao, me skuadrën andaluziane që favorizohet ndjeshëm nga fitorja 2-1 në San Mames.
 
Të besuarit e Ernesto Valverdes duhet të bëjnë mrekullinë në një stadium ku nuk fitojnë që nga tetori i vitit 2011, aq më tepër që Sevilla është një skuadër eksperte e Europa League.
 
Shaktar Donjeck gjithashtu hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në gjysmëfinale me fitoren 2-1 në fushën e Bragës, kështu që në Lviv Arena ukrainasit mund të mjaftohen me administrimin e avantazhit për të siguruar kualifikimin.
 
Me një ekspert si rumuni Mircea Lucescu në stolin e Shaktarit, vështirë se Braga do të arrijë të bëjë surprizën e madhe.
 
Shumë më e hapur është sfida mes Spartës së Pragës dhe Villarrealit, që dështoi të merrte një fitore të thellë në El Madrigal.
 
Suksesi 2-1 në ndeshjen e parë nuk u garanton asgjë spanjollëve, që duhet patjetër të mos pësojnë për të mos i komplikuar gjërat.
 
Ekipi cek nuk ka asgjë për të humbur dhe para para tifozëve vendas do të luajë ndeshjen e jetës për të prekur gjysmëfinalet e Europa League.