Maqedoni
Analistët: demokracia në krizë institucionale
14.04.2016 15:37
Maqedonia po përballet me mungesë të madhe të demokracisë. Është më se e nevojshme zhvillimi i një dialogu politik, i cili do të shoqërohej me përgjegjësi politike...

Kështu vlerësuan në debatin e sotëm ish diplomatë dhe analistë që debatuan në temën “Kriza në demokraci apo demokracia në krizë”.
Ish diplomati, Muhamed Halili, theksoi se për të dalë nga kriza, sidomos pas vendimit të fundit të presidentit të shtetit, partitë politike duhet t’i lënë anash dallimet dhe të mblidhen për të vendosur për të ardhmen e vendit.
“Zgjidhja e kësaj krize është dorëheqja e menjëhershme e Gjorge Ivanovit, dhe e dyta është koha tash dhe asnjëherë më mirë nuk ka qenë që BDI ta braktisë qeverinë dhe mos të dalë në zgjedhje deri sa të kthehet demokracia në vend. Ky është obligim kombëtar i çdo partie politike edhe intelektuale, rrugëdalje tjetër s’ka.”- deklaroi ish diplomati, Muhamed Halili.
Maqedonia me krizat institucionale, politike, madje edhe me prodhimin e krizës së sigurisë qytetare, ka dëshmuar se ka shkelur të gjitha vlerat evropiane, theksoi profesori universitar, Nano Ruzhin.
“Të them se s’ka demokraci do të jetë e gabuar, sepse elementet e demokracisë janë pluralizmi, mediat, demonstratat, pra njerëzit kanë mundësi të shprehin vullnetin e lirë. Megjithatë, në literaturë gjendet një nocion demokratura, pra minimum demokraci, maksimum autoritet, minimum të drejta të njeriut, maksimum populizëm, gjyqësor për disa njerëz, që nënkupton trajtim jo të barabartë.”- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
Të pranishmit në debat u shprehën pesimistë për funksionim të mirëfilltë të demokracisë në vend për shkak të mungesës së shumë elementeve që i atribuojnë një shteti demokratik.
Daljen e vendit nga kriza analistët e shohin vetëm përmes angazhimit më të madh të bashkësisë ndërkombëtare.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
