Maqedoni
Organizatat joqeveritare: Maqedonia të rikthehet në binaret e demokracisë
14.04.2016 16:08
Mbi 80 organizata joqeveritare për të tretën herë me radhë i dërgojnë letër bashkësisë ndërkombëtare për rikthimin e Maqedonisë në binaret e demokracisë të sundimit të së drejtës...

Organizatat joqeveritare kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të vendimit të Ivanovit për të falur persona me të kaluar kriminale, respektimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformave urgjente prioritare me qëllim të rikthimit të demokracisë në vend dhe mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme.
Ata kanë dënuar gjithashtu vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falje dhe lënien e zbrazëtirës juridike që presidenti të mund të falë 56 persona, pjesa më e madhe prej tyre anëtarë të VMRO-DMNE-së.
Kjo nënkupton shkeljen e Marrëveshjes së Përzhinës dhe vlerave themelore demokratike, kanë thënë aktivistët civilë.
“Ne këtë letër të tretë ia drejtojmë bashkësisë ndërkombëtare në vend dhe gjithë opinionit në botë. Kërkojmë që të anulohet vendimi për abolim i dhënë nga personi, Gjorge Ivanov, i cili momentalisht është kryetar i vendit. Të shqyrtohen mundësitë për një qeveri kalimtare dhe të shtyhet data e zgjedhjeve. Pa këto kushte nuk kemi opsion t’i injorojmë ato zgjedhje dhe t’i bojkotojmë.”- tha Ramadan Ramadani nga OJQ.
“Pajtohemi që Maqedonia ka devijuar nga rruga e demokracisë dhe e vetmja mënyrë për t’iu kthyer kësaj rruge duhet të përmbushen të gjitha reformat, përfshirë këtu edhe Raportin e Pribesë. Pajtohemi se ka mbetur pjesa më e madhe e punës për plotësimin e kritereve minimale për zgjedhje të besueshme: pastrimi i listës zgjedhore, ndalimi i frikës dhe trusnisë ndaj votuesve, si dhe sigurimin e informimit të drejtë mediatik.”- tha Andrej Stojkovsk nga OJQ.
Përfaqësuesit e organizatave theksojnë se nuk mjafton vetëm një progres i caktuar në reformat zgjedhore për të krijuar kushte për tejkalimin e krizës politik, por duhet një progres i madh në reformat dhe fushat tjera: sundimi i së drejtës dhe të drejtave themelore, depolitizimi i administratës publike dhe liria e shprehjes.
OJQ-të u bëjnë thirrje qytetarëve dhe ambasadorëve që t’u bashkëngjiten në protesta.
REJHANE BUSHI-METAJ
