Maqedoni
Kociançiç: Punojmë për zgjidhjen e krizës në Maqedoni
14.04.2016 16:37
Edhe pse BE ende nuk ka ndonjë paralajmërim për një takim të ri me katërshen e liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni...

Edhe pse BE ende nuk ka ndonjë paralajmërim për një takim të ri me katërshen e liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni, Brukseli thotë se po punon përmes delegacionit të tij në Shkup, si dhe përmes selisë së Komisionit Evropian në Bruksel me partitë politike nga Maqedonia, me qëllim të zgjidhjes së gjendjes së tendosur në Republikën e Maqedonisë pas vendimit të presidentit, Gjorge Ivanov, për t'i aboluar të gjithë personat e prekur nga skandali me përgjimet.
"Ne jemi shumë mirë të njoftuar dhe jemi seriozisht të shqetësuar me vendimin e presidentit Ivanov për të aboluar një numër të madh politikanësh dhe personash zyrtarë të cilët ishin lëndë e hetimeve kriminalistike. Ky vendim rrezikon të prodhojë klimë të padënueshmërisë, e nxitë sundimin e së drejtës dhe vitet e investuara në përpjekjet në vend dhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe mund ta përkeqësojë krizën ekzistuese politike."- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.
Sipas zëdhënëses së KE-së, vendimi i presidentit të Republikës së Maqedonisë "e minon edhe punën e rëndësishme të prokurores speciale dhe ekipit të saj që janë vendosur nga Parlamenti, si pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës, për t'i hetuar çështjet serioze të ngritura vitin e kaluar.”
"Puna e prokurores speciale duhet të vazhdojë. Ky vendim e rrezikon edhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Komisioni Evropian u bën thirrje të gjitha partive politike dhe të gjithë të përfshirëve të sigurojnë që procesi të lëvizë përpara. Ju thoni se Marrëveshja e Përzhinës është e vdekur, por ne besojmë se ende ka kohë për kthim në tryezën negociuese. Ne besojmë se mu kjo është përgjegjësi e partive politike dhe të vazhdohet me përpjekjet për t'u nxjerrë vendi jashtë krizës së tanishme politike."- tha zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.
Sa u përket protestave, Kocijançiç përkujtoi për pozicionin e përhershëm të BE¬-së se dhuna është e papranueshme. Për atë nëse ekziston rreziku që Maqedonia ta humbasë statusin e vendit kandidat nëse përkeqësohen gjërat, Kocijançiq refuzoi të japë përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se BE është e përqendruar të ndihmojë liderët politikë ta zgjidhin krizën.
GAZMEND KURTISHI
