Maqedoni
DASh–raporti: Korrupsion i lartë, pushteti ndërhyn në gjyqësor
14.04.2016 16:43
Niveli i lartë i korrupsionit dhe dështimi i qeverisë për të respektuar plotësisht sundimin e ligjit, janë probleme kryesore për të drejtat e njeriut në Maqedoni...

Kështu thuhet në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Në raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut në vendet e botës që Departamenti i Shtetit i publikon çdo pranverë, për Maqedoninë është bërë një lidhje në mes të drejtave të rrezikuara të njeriut të shkaktuara nga niveli i lartë i korrupsionit.
"Problemi më i rëndësishëm me të drejtat e njeriut buron nga niveli i lartë i korrupsionit dhe dështimit të qeverisë për të respektuar plotësisht sundimin e ligjit, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të kufizuar lirinë e medias, ndërhyrjen në gjyqësor dhe dënimin selektiv të fajtorëve."- thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Në raport, mes tjerash, theksohet se ndërhyrja politike në gjyqësor dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë problemet kryesore të Maqedonisë.
"Ndërhyrjet politike, joefikasiteti, nepotizmi, proceset e zgjatura, shkelja e së drejtës për gjykim publik dhe korrupsioni e karakterizojnë sistemin gjyqësor. Gjatë vitit, publikimi i komunikimeve të përgjuara, të paautorizuara, të regjistruara nga shërbimet e inteligjencës qeveritare kanë gjetur dëshmi të ndërhyrjes politike në administratën publike dhe në media, si dhe korrupsion të nivelit të lartë."- thuhet në raport.
Në pjesën për mediat në raport theksohet se presioni i pushtetit ndaj mediave vazhdon, si dhe në mediat kryesore radhë herë ka kritika ndaj pushtetit, ndërsa më shumë gazetarë janë ankuar për presione dhe kërcënime nga përfaqësues të pushtetit. Sa i përket Kosovës, raporti i DASh-it vë në dukje se korrupsioni endemik në qeveri dhe në sektorin privat është ende prezent.
“Problem më serioz i të drejtave të njeriut për Kosovën ka qenë pengimi, herë-herë i dhunshëm, i kuvendit nga deputetët opozitarë.”- thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.
SANIJE DURAKU
