Maqedoni
Përkundër abolimeve, vazhdojnë hetimet e PSP-së; “Transporter” zbardh krim financiar në Manastir
14.04.2016 17:11
Prokuroria Speciale vazhdon betejën për zbardhjen e krimit në shtet edhe përkundër abolimit nga presidenti Ivanov të politikanëve që janë nën hetime....

PSP prezantoi rastin më të ri “Transporter” për keqpërdorime financiare në vlerë prej 360 mijë euro gjatë transportit të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në Manastir.
Të dyshuar gjithsej janë 22 persona, kryesori është kryetari i komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski, I cili u abolua nga presidenti Ivanov. Për 11 prej tyre, Prokuroria Speciale do të kërkojë masë paraburgimi. Sipas prokurores, Fatime Fetai, kjo paraqet një nga transportet më të shtrenjta në botë.
“Kryetari i komunës së Manastirit dhe kryetari i Komisionit për furnizime publike, në marrëveshje me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme në Manastir dhe njerëzit përgjegjës për transport, kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 360 mijë euro për dy vite shkollore. Ky dëm është i përmasave të mëdha për faktin se shuma është më e madhe se sa 250 rroga mesatare në vend.”- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Nga Prokuroria Speciale thonë se për funksionarët e aboluar vazhdon hetimi për vepra të tjera, por edhe hetimi financiar, përfshi këtu edhe kryetarin e Manastirit, Vlladimir Talevski, i cili dyshohet për vepra të tjera penale, që nuk është falur nga presidenti. Prokurorja speciale, Katica Janeva, tha se të gjithë të dyshuarve do t’u konfiskohet prona e jashtëligjshme.
“Për rastin ‘Titanik’ të jeni të sigurt se do të ketë zgjerim të atij hetimi si në pjesën financiare, por edhe për lëndë dhe persona të tjerë. Kjo do të thotë se edhe në rast të abolimit të kryerësve të veprave penale, obligim ligjor i kësaj Prokurorie Speciale është konfiskimi i pronës së jashtëligjshme dhe ajo pronë të kthehet në buxhet. Hetimet financiare intensivisht po zhvillohen në këtë Prokurori, pasi që kemi të dhëna se në periudhën prej vitit 2008-2015 nga buxheti në xhepat privat kanë përfunduar shumë e madhe e parave.”- tha prokurorja speciale, Katica Janeva.
Në Prokurorinë Speciale thonë se janë duke shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të Ivanovit, për të cilën nuk kanë qenë as të konsultuar. Specialja gjithashtu refuzon faljen e prokurorëve specialë: Fatime Fetai, Lile Stefanova dhe Gavrill Bubevski.
“Prokurorët nuk i pranojnë abolimet e presidentit. Kjo paraqet shkelje të rëndë të të drejtave personale të prokurorëve, duke i futur ata me një kosh me personat për të cilët ne kemi dëshmi për kryerje të veprave serioze penale.”- theksoi prokurorja speciale, Lençe Ristovska.
Nga Prokuroria Speciale pyesin presidentin se nga i mori informacionet që të falë persona që janë të dyshuar nga Prokuroria Speciale. Gjithashtu thanë se drejtësia do të fitojë. Mesazhet u dëgjuan edhe nga një pjesë e ambasadorëve të pranishëm në konferencën për media.
MERAL ISMAILI
