Maqedoni

Ivanov pret Bejlin dhe Oravin; Ambasadorët, kundër vendimit

14.04.2016 17:42

Presidenti, Gjorge Ivanov, priti ambasadorin e ShBA-së, Xhes Bejli, dhe atë të BE-së, Avio Orav, edhe pse një takim të tillë ambasadorët e kërkuan...

Presidenti, Gjorge Ivanov, priti ambasadorin e ShBA-së, Xhes Bejli, dhe atë të BE-së, Avio Orav, edhe pse një takim të tillë ambasadorët e kërkuan menjëherë pas shpalljes së vendimit për anulim të të gjitha procedurave hetimore kundër politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për rastet që kanë të bëjnë me përgjimet joligjore. 
 
Takimi u hesht nga Presidenca, duke lejuar të kalojë pa asnjë kumtesë zyrtare. Pas takimit me Ivanovin, në mungesë të deklaratave, ambasadori amerikan në vend, Xhes Bejli, ka shkruar një porosi të shkurtër në llogarinë e tij në Tuiter.
 
“Falja masive është e barabartë me mosndëshkim dhe e barabartë me pengesë për zgjedhje të besueshme dhe pengesë për rrugën euroatlantike të vendit”, shkruan Bejli, duke shtuar se e drejtë fondamentale e demokracisë janë protestat paqësore, por jo ato vandaliste dhe të dhunshme.
 
Porosi të ngjashme ka shënuar edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, i cili mbështet shprehjen e lirë dhe protestat e qeta si liri e shprehjes.
 
“BE mbështet lirinë e shprehjes dhe demonstratat paqësore. Shtetet kanë detyrimin për të respektuar, mbrojtur dhe promovuar të drejtat e lirisë së mendimit dhe të shprehjes.”- shkruan Orav.
 
Ndërkaq, ambasadori britanez, Çarls Garet, në një postim në llogarinë e tij në Tuiter ka mbështetur punën e Prokurorisë Publike Speciale.
 
“Pavarësisht asaj se çfarë po ndodh këto ditë, kjo çështje është më e rëndësishmja për qytetarët e Maqedonisë”, ka shkruar Garet pas konferencës për shtyp të PPS-së, të cilën e ndoqi nga afër.
 
Vendimi i befasishëm për anulim të të gjitha procedurave hetimore kundër politikanëve u kundërshtua nga katër subjektet politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, ndërsa Brukseli dhe Uashingtoni kërkuan rishqyrtim, përkatësisht tërheqje të vendimit, pasi konsiderojnë se me të rrënohen themelet e shtetit ligjor. 
 
SHPËTIM NUREDINI