Maqedoni
Falja e politikanëve, Ivanov rrëfehet para gazetarëve
14.04.2016 17:52
Presidenti Ivanov edhe një herë ka risqaruar se përse solli vendimin për abolimin e politikanëve...

Motivi kyç, sipas tij, ishte interesi shtetëror, dalja nga kriza dhe zbatimi i zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. Siç theksoi Ivanov, historia do të gjykojë nëse ka pasur të drejtë dhe nëse e ka ruajtur interesin shtetëror.
"Si president, përgjegjësia ime është t’i jap fund krizës, e cila u stërzgjat. E shfrytëzova atë që më është dhënë që ta mbroj interesin shtetëror. …Duhet të sigurojmë zgjedhje korrekte dhe të lira dhe të fillojë shteti të funksionojë. Vendimi ishte, edhe pushteti edhe opozita, të gjithë të cilët janë të involvuar në procesin zgjedhor, të gjitha lëndët, t'i vendosim në situatë zero, të gjithë të nisen nga pozita e njëjtë nisëse."- deklaroi presidenti i RM-së, Gjeorge Ivanov.
Ai i respekton, siç potencoi, Marrëveshjen e Përzhinës dhe Prokurorinë Publike Sociale (PPS), por, sipas tij, kjo për momentin është keqpërdorur për grumbullimin e pikëve politike.
Pas zgjedhjeve, theksoi, PPS mund të vazhdojë me zgjidhjen e rasteve, në vend se tani të involvohet në politikën ditore. Sipas tij, një prej shkaqeve për abolim është edhe kërkesa e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, nga maji i vitit të kaluar, të marrë garanci, drejtpërdrejt prej tij, se nuk do të përndiqet.
"Zaev, në maj të vitit të kaluar, kur nuk deshi të marrë pjesë në takimet e liderëve, pasi që kishte akuza dhe askush nuk mundej t'i garantojë se nuk do të arrestohet në çdo kohë, kërkoi garanci, që të mund të marrë pjesë në takimet e liderëve, se nuk do të arrestohet."- tha Ivanov.
Njëra nga pyetjet e gazetarëve drejtuar presidentit ishte se përse nuk i fali edhe të dënuarit e rastit ”Monstra” dhe ”Sopoti”, për të cilët ka dëshmi se janë të pafajshëm, por presidenti aspak nuk u përgjigj në pyetjen e tillë.
GAZMEND REXHEPI
