Botë
SHBA, Clinton e Sanders debat me tone të ashpra
15.04.2016 09:51
Debati i fundit para zgjedhjeve paraprake të Nju Jorkut mes kandidatëve demokratë Hillary Clinon dhe Bernie Sanders, shpërtheu në sulme të rrëmbyera e shpesh personale...

Gara demokrate ka marrë një kthesë mjaft negative gjatë ditëve të fundit me kandidatët që kanë shkëmbyer thumbime mes tyre lidhur me kualifikimin e tyre për presidencën.
Ndër të tjera, Clinton dhe Sanders u përplasen per Wall Streetin, kontrollin e armëve dhe pagën minimale. Sanders ka fituar në 7 prej paraprakeve të fundit, por Clinton vazhdon të ruajë kryesimin.
“A e ka Sekretarja Clinton eksperiencën dhe inteligjencën për të qenë Presidente? Natyrisht që po. Ajo që vë në dyshim unë është gjykimi i saj”, tha Sanders.
Sanders e ka kritikuar në vazhdimësi Clitnonin për lidhjet financiare me Wall Streetin, veçanërisht për fjalimet e paguara në një bankë investimesh. Ai e fajëson gjithashtu atë për mbështetjen e luftës në Irak.
Ndërkohë, Clinton ngre dyshime nëse Sanders i ka menduar mirë propozimet e tij politike, pasi e pati të vështirë të parashtronte detaje gjatë një interviste për “New York Daily Neës”.
“Është e lehtë të bësh diagnozën e problemit. Por përpjekja për ta zgjidhur atë, është diçka tjetër”, tha ajo.
Tensionet ishin të dukshme gjatë gjithë kohës, me Sanders që shpesh tallej me përgjigjiet e Clinton dhe këtë të fundit që nuk e linte të fliste. Deri më tani, demokratët i kishin evituar sulmet personale që kanë dominuar debatet republikane./Top Channel
