Maqedoni

Velianovski shpalli zgjedhjet më 5 qershor

15.04.2016 11:08

Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, edhe zyrtarisht u shpallën për më 5 qershor...

Kryetari në largim i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski, e nënshkruajti Vendimin për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
 
"Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në pajtueshmëri të Vendimit për shpërbërje të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, sot e nënshkrova Vendimin për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të cilat do të mbahen më 5 qershor të vitit 2016.” – thuhet në deklaratën me shkrim të Veljanovskit. 
 
Ai shpreh bindje se zgjedhjet do të mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike.
 
"Besoj se të gjithë subjektet e kyçyura në procesin zgjedhor do të kontribuojnë që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë të qetë dhe demokratike dhe se secili nga ne më 5 qershor do ta realizojë të drejtën e tij të votimit, gjegjësisht ta japë besimin e tij për ato subjekte politike në të cilët beson se do të mund të realizojnë të tashme stabile dhe të ardhme më të mirë", thekson Veljanoski.
 
Vendimi për shpallje të zgjedhjeve i është dorëzuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si organ për zbatim të zgjedhjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
 
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare është pjesë e marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut, në të cilën parashihej t’u paraprijë plotësimi i të gjitha parakushteve të cilat do të siguronin zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike. Një vlerësim të tillë, fillimisht pritej të japë KSHZ-së, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. 
 
Zgjedhjet u shpallën për 5 qershor edhe pse opozita maqedonase ka deklaruar se do t’i bojkotojë të njejtat, pasi konsideron se nuk janë plotësuar të gjitha pikat e Marrëveshjes së Përzhinës. 
 
SHPËTIM NUREDINI