Papa Françesku e Patriarku takojnë refugjatët në Ishullin Lesbos të Greqisë

16.04.2016 13:11

Papa Françesku vizitoi Ishullin Lesbos ku ka takuar nga afër refugjatët e stacionuar në Greqi për të treguar mbështetjen e tij ndaj eksodit...

Papa tha se udhëtimi i tij dëshmon "katastrofën më të rëndë humanitare që prej Luftës së Dytë Botërore".

Papa Francesku në Lesbos u prit nga kryeministri grek Aleksandër Tsipras dhe kreun i kishës ortodokse Patriarku Ekumenik Bartolomeu, ku së bashku dërguan mesazh humanizmi në viziten tek qendra e pritjes dhe regjistrimit të emigrantëve në këtë ishull. Ata u takuan edhe me përgjegjësit për mbarëvajtjen e këtij hotspoti.

Kjo vizitë e Papës po konsiderohet si veprim i guximshëm për të shprehur solidaritetin me migrantët, çështja e të cilëve ka turbulluar politikën evropiane. Vatikani tha se vizita e Papa Françeskut në ishullin Lesbos është krejtësisht humanitare dhe fetare për nga natyra, dhe se nuk ka qëllim që të jetë e natyrës politike apo kritikuese ndaj politikave të Bashkimit Evropian.

Ishulli grek ka pranuar me qindra mijëra azilkërkues, e shumë migrantë të tjerë kanë kaluar përmes këtij vendi. Lesbosi konsiderohet si një nga vendet që më së miri pasqyron krizën humanitare me të cilën po përballet Evropa.

Raportohet se Papa Françesku ka ofruar që t’i marrë me vete në Itali 10 refugjatë. Ngjarja u mbulua nga 400 gazetarë nga vende të ndryshme të botës.