Qeveria e Kosovës, asociacioni i komunave serbe nuk është prioritet
Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, pasi nuk e konsideron çështje urgjente...

Opozita dhe analistët thonë se “Zajednicën” e ka nxjerrë nga agjenda Gjykata Kushtetuese.
Hartimi i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk është prioritet për Qeverinë e Kosovës, pavarësisht kërkesave që vijnë nga Beogradi, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Pushtetarët kohë më parë kanë paralajmëruar formimin e një komisioni për hartimin e statutit të Asociacionit, megjithatë ky komision ende nuk është formuar, e madje sipas përfaqësuesve të Qeverisë, kjo çështje nuk do të bëhet shpejt sepse nuk është urgjente. Ata thonë se e rëndësishme është që të sigurohet implementimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e subjekteve opozitare thonë se Qeveria nuk duhet të vazhdojë me hartimin e statutit të “Zajednicës” siç e quajnë ata Asociacionin. Sipas opozitarëve, kjo çështje duhet të bjerë nga agjenda, pas vendimit që ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese, ndërsa sa i përket statutit ata thonë se është gati “ai i Asociacionit të Komunave Kosovare”.
