Zaev, Mijallkov dhe Talevski njoftojnë ivanovin se nuk pranojnë faljen
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, i dërgoi letër për herë të dytë presidentit Ivanov në të cilën kërkon që t’a tërheq faljen ndaj tij sepse sipas kreut të LSDM-së, ai është i pafajshëm dhe për këtë do të dëshmohet në gjykatë.

“Ne të gjithë jemi njësoj dhe s’jemi kriminel. Jam i pafajshëm dhe pafajësinë time do ta dëshmoj në Gjykatë, me procedurë përkatëse. Nuk dua të falem, e as të amnistohem. Nuk dua të jem në koshin e njëjtë me kriminelët e vërtetë të pushtetit” thuhet në letrën e Zaev.
Listës së personave që kanë kërkuar nga Ivanovi që të tërheq vendimin për falje, i është shtuar edhe ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.
Ai kërkon që Ivanovi të tërheq çdo iniciativë që lidhet me emrin e tij, duke besuar në qëllimin e mirë të kryetarit të shtetit. Mijallkov thotë se procedurat ndaj tij, nuk kanë ndonjë bazë juridike dhe se kanë prapavi politike dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.
“E di që kam punuar ndershëm në shërbim të qytetarëve dhe vendit tim. Procedurat e ngritura nga Prokuroria Speciale Publike nuk kanë kurrfarë bazë juridike dhe thjeshtë janë ndjekje e kurdisur politike kundër Kushtetutës dhe ligjeve” thotë Mijalkov.
Edhe kryetari i komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski, ka dërguar letër deri te presidenti Gjorge Ivanov, në të cilën kërkon që të tërheq vendimin për abolim për të.
“Nuk dëshiroj të ketë dyshime apo spekulime për punën time ligjore dhe për këtë shkak kërkoj nga ju që faljen për mu ta tërhiqni. Jam i gatshëm që të dëshmoj të vërtetën për punën time të ndershme, i bindur se institucionet shtetërore do të interesohen për fakte dhe argument, dhe jo për akuza tendencioze dhe jo të argumentuara”, thuhet në letrën e Talevskit.
