Botë

Koreja e Veriut përgatit një tjetër test bërthamor

18.04.2016 12:45

Korea e Jugut ka diktuar shenja se fqinji i saj verior po përgatitet për një test të pestë bërthamor...

Kështu deklaroi presidentja koreano-jugore Park Geun-Hye gjatë mbledhjes së qeverisë, pa specifikuar se për çfarë shenjash bëhet fjalë, por gjithsesi duke urdhëruar ushtrinë që të jetë gati.
 
Deklarata zyrtare e Koresë së Jugut vjen pas raporteve të shumta në media se është vënë re rritje e ndjeshme e aktivitetit në zonën e testeve bërthamore Pung-ri në Korenë e Veriut.
 
Në të shkuarën, sa herë që aktiviteti në këtë zonë shtohej, pasohej nga një test bërthamor.  Një test i ri nga ana e Koresë komuniste do të ishte një tjetër sfidë ndaj sanksioneve të ashpra të vendosura nga OKB-ja muajin e shkuar.
 
Në janar, Korea e Veriut kreu testin e katërt bërthamor dhe lëshoi një raketë një muaj më vonë, duke rritur ndjeshëm tensionin në gadishull.