Konferencë kushtuar larjes së parave
Përfaqësues të prokurorive dhe policive financiare nga vendet e rajonit, janë mbledhur në konferencën dyditore në Shkup, kushtuar pengimit të larjes së parave dhe hetimeve lidhur me korrupsionin………

Institucionet financiare në vend, po përforcohen dhe prokuroria i shënon rastet e larjes se parave si kriminalitet, theksoi me këtë rast prokurori publik i Maqedonisë.
Në Maqedoni ekziston larja e parave, por për dallim nga vendet tjera, te ne ka proces të kundërt “paratë e lara t’i bëjmë të pista”. Kështu vlerësoi prokurori publik, Marko Zvrlevski, në konferencën me temë: “larja e parave dhe hulumtimet që kanë të bëjnë me korrupsionin”.
“Më parë askush nuk pyeste se ku janë paratë kur blinim vetura prej 10,15 apo 20 mijë eurosh, kur blejmë banesë prej 100, 200 mijë eurosh. Por tani institucionet financiare po përforcohen dhe prokuroria i shënon rastet e larjes së parave si kriminalitet”, - deklaroi prokurori publik, Marko Zvrlevski.
“Konferenca rajonale është ngjarja e fundit nga projekti “IPA 2010”, që realizohet nga shoqata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ka të bëjë me përforcimin e kapaciteteve të rrjetit të prokurorëve publik në rajon”, - tha Aneta Arnaudova, njëherit drejtoreshë e Akademisë për Gjykatës dhe Prokuror Publik.
Përfaqësues të prokurorive dhe policive financiare nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina edhe gjatë ditës së nesërme, do të ndjekin përvojat e prokurorëve nga Austria dhe Holanda, në sferën e hulumtimeve financiare. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
