Maqedoni
Partitë jashtëparlamentare kundërshtojnë vendimin e Ivanovit
18.04.2016 17:27
Mblidhen partitë jashtëparlamentare shqiptare me përjashtim të LR-PDSH-së në kundërshtim të vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për faljen e politikanëve që janë nën hetime...

RDK, Besa, Uniteti dhe PPD kërkojnë që presidenti të tërheqë vendimin për abolim. Të katër partitë kërkojnë edhe shtyerjen e zgjedhjeve pasiqë sipas tyre nuk janë përmbushur kushtet bazë siç janë pastrimi i listave zgjedhore dhe reformat në media. Për përmbushjen e kërkesave kërkojnë mbështetjen e faktorit ndërkombetarë.
“Kryetari shtetit duhet të revidojë vendimin e tij në lidhje me abolimin që ka bërë për persona të caktuar që kanë bërë kriminalitet zgjedhor, ekonomik etj dhe kërkojmë ndihmën edhe të faktorit ndërkombëtarë të kyqen në mënyrë aktive për të bërë trysni dhe presionin e duhur që ky vendim të tërhiqet mbrapsht me qëllim që prokuroria speciale në mënyrë normale dhe të rregullt të kryejë detyrimet e saj për qëllimin që është formuar. Nuk e shohim të arsyeshme dhe të logjikshme këtë veprim politik të kryetarit të shtetit”, tha Binaz Pajaziti, nënkryetar i RDK-së.
Ndërkaq partitë jashtëparlamentare në parim mbështesin protestat kundër vendimit të presidentit Ivanov. Mundësinë për pjesëmarje në këto protesta do ta shqyrtojnë ditëve në vazhdim varësisht nga ecuria e ngjarjeve.
MERAL ISMAILI
