PRESIDENCIALET

Mehmeti: BDI ka kërkuar zgjedhje, nuk e ka caktuar datën

05.03.2014 17:45

BDI-ja nuk ka kërkuar datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, por iniciativë për shpërbërjen e Kuvendit…………

BDI-ja nuk ka kërkuar datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, por iniciativë për shpërbërjen e Kuvendit, ndërsa akuzat e PDSH-së se qëllimi i integristëve ka qenë për të mundësuar cenzusin në zgjedhjet presidenciale, PDSH-ja manipulon me këtë tezë për të fshehur marrëveshjet e saj joparimore. Kështu ka deklaruar deputetja, Ermira Mehmeti, në konferencë për mediat, pas votimit për shpërbërjen e Kuvendit.

“BDI ka dorëzuar kërkesë për shpërbërje të Parlamentit, nuk ka caktuar dhe as nuk ka sugjeruar deri tek kryetari i Parlamentit, apo te cilido qoftë organ tjetër shtetëror, me cilën datë duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu që ky është një manipulim që bëhet nga ana e opozitës shqiptare dhe natyrisht bëhet qëllimisht për të mbuluar disa marrëveshje joparimore, të cilat në ndërkohë ndodhën dhe për të cilat opinioni mori vesh nga ana e mediave”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Në pyetjen se nëse nga BDI do të pranojnë lista të përbashkëta me partitë shqiptare, Mehmeti u shpreh se BDI është dhe gjithmonë ka qenë për unitet politik.

“BDI është parti e madhe politike. Si parti e madhe politike, i ka të gjitha kapacitetin dhe mundësinë për të përfshirë në radhët e veta të gjithë ata të cilat ndajnë vlerat, idealet dhe bindjet politike të BDI-së. Ju e dini, se ne gjithmonë jemi angazhuar kundër përçarjes politike dhe gjithmonë kemi ftuar në unitet politik. Opinioni akoma i ka të freskëta kujtimet se ç’farë pasojash shkaktoj shpërndarja apo përçarja e votës shqiptare në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2001. Si pasojë humbëm të paktën tre mandate deputetësh, kështu që ne nuk kemi komplekse bashkëpunimi”, - shtoi Ermira.

Po ashtu deputetja Mehmeti, në emër të grupit parlamentar të partisë, ka falënderuar të gjitha partitë parlamentare, që kanë mbështetur iniciativën e grupit parlamentar të kësaj partie dhe ka shtuar se BDI-ja, si parti politike në pushtet, do të investojë gjithë energjinë që të garantojë një fushatë fer dhe demokratike, e cila nuk do të jetë e karakterizuar nga gjuha e  urrejtjes, as nga fyerjet dhe ofendimet.

 

Mehmeti ka nënvizuar se si parti që merr pjesë në institucione, do të angazhohen që fushata të rrjedhë në ambient demokratik dhe larg ambientit të dhunës, apo çfarëdo qoftë forme të cenimit të fushatës parazgjedhore. (Mefail Ismaili, TVM2)