Diaspora shqiptare mobilizohet për fitore
Analisti Ylber Sela, është i bindur se këtë herë, diaspora shqiptare do të sjell fitore dhe deputet ne Kuvendin e Maqedonisë, sepse si në të kaluarën edhe tani, diaspora luan një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e vendit……….

Diaspora shqiptare në SHBA, është mobilizuar dhe po punon intensivisht për të siguruar fitoren e kandidatit shqiptar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu shprehet për TVM-2, vet kandidati i kësaj njësie, Tefik Abdullai.
“Diaspora shqiptare, mbase është shumë e shpërndarë në SHBA dhe Kanada, pra nuk është si në vendlindje, por do të përdorim një strategji sipas kushteve dhe vendit. Kështu që, do të mundohemi t’i informojmë. Këtë detyrë e kanë përfaqësitë konsullore diplomatike, por nga përvoja e mëparshme kemi një përvojë jo të mirë, por do të mundohemi t’i angazhojmë edhe përfaqësitë diplomatike që të informojnë dhe ne do të formojmë shtabe dhe nën shtabe në të gjitha qytetet”, tha kandidati i diasporës, Tefik Abdullai.
Analisti Ylber Sela, është i bindur se këtë herë, diaspora shqiptare do të sjell fitore dhe deputet ne Kuvendin e Maqedonisë, sepse si në të kaluarën edhe tani, diaspora luan një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e vendit.
“Mendoj se ndikimi i zgjedhjes së këtyre deputetëve nga diaspora, do të jetë shumë i madh për Maqedoninë, pasi që diaspora luan dhe do të luaj një rol shumë të rëndësishëm, tani më e ka edhe rolin ekonomik këtu te ne dhe besoj që diaspora tani do të japë provimin e saj, siç e ka dhënë edhe gjatë kohës së luftërave, apo zhvillimeve tjera, të cilat kanë ndodhë. Besoj se këta njerëz, të cilët janë zgjedhur si kandidat potencial për të ardhur këtu në parlamentin e Maqedonisë, besoj që do të kontribuojnë mjaft që diaspora shqiptare të ndjehet sa më afër institucioneve. Besoj që minimum dy deputet na takojnë dhe pse jo edhe tre, por besoj se këtë herë dy do të jenë në anën tonë dhe kështu do të tregojmë edhe njëherë se diaspora shqiptare do ta ketë vendin e merituar në proceset politike që ndodhin në Maqedoni”, deklaroi analisti, Ylber Sela.
Ndryshe në garë në njësitë e diasporës, janë mësimdhënësi i gjuhës shqipe, Tefik Abdullai, juristi Ismail Beluli dhe mërgimtari Driton Maliku. Ismail Beluli, ndryshe njihet edhe si veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, veçanërisht gjatë luftërave çlirimtare të Kosovës dhe Maqedonisë. Tefik Abdullahu si veprimtar mes mërgimtarëve në SHBA, ndërsa Driton Maliku ka dhënë kontribut të veçantë gjatë vitit 2001. (Sanije Kasami, TVM2)
