Maqedoni
Johanes Hahn: Liria e mediave, prioritet për Maqedoninë
19.04.2016 12:17
Liria e mediave edhe më tej është prioritet kryesor, ka thënë eurokomisari për zgjerim, Johanes Han...

Liria e mediave edhe më tej është prioritet kryesor, ka thënë eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, në përgjigjen ndaj letrës së kryetarit të Federatës evropiane të Gazetarëve, Mogens Bjerregaard, njofton Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.
Han në letër thotë se liria e shprehjes është një nga sferat më të përfshira në listën e reformave prioritare urgjente të përpiluara nga Komisioni Evropian pas publikimit të skandalit të përgjimeve.
Në njoftim po ashtu thuhet se komisari Hahn përkujton se Komisioni Evropian vazhdimisht e ka kritikuar mungesën e pavarësisë politike dhe informimin e pabalancuar të shërbimit publik, mungesën e transparencës për reklamimin qeveritar dhe sigurimin e qasjes së papenguar të gazetarëve në informatat e karakterit publik.
Ai thotë se Komisioni Evropian vazhdimisht e ka ndjekur situatën me lirinë e shprehjes, ndërsa në raportin vjetor shpreh brengosje serioze për kulturën mediale dhe ambientin politik në të cilin funksionojnë mediat në Maqedoni.
“Në të gjitha kontaktet tona vazhdimisht kemi theksuar se e drejta e mediave që transmetojnë informacione dhe idetë e interesit publik dhe e drejta e opinionit t’i marrë ato, nuk guxon të pengohet nëpërmjet ndikimit politik ndaj politikës redaktuese dhe punës së gazetarëve.”- ka thënë Han në përgjigje.
Letra e komisarit Hahn është përgjigje ndaj letrës së kryetarit të Federatës evropiane të Gazetarëve, Mogens Bjerregaard, të cilit iu dërgua në shkurt të këtij viti me kërkesë të ShGM, e cila insistonte që Komisioni Evropian duhet të angazhohet më tepër për reformat e mediave në Maqedoni, si një parakusht për organizim të zgjedhje të lira dhe të besueshme, thuhet në njoftimin e ShGM-së.
GYLTENE SINANI
