Maqedoni
Afatet e reja të maturës shtetërore, AP: Zgjedhjet nuk guxojnë të ndikojnë në arsim
19.04.2016 14:34
Avokati i Popullit ka reaguar ashpër pas publikimit të afateve të reja për maturën shtetërore nga data 4 qershor në datën 28 maj...

Afatet u ndryshuan në kundërshtim me ligjin dhe vetëm një muaj para përfundimit të procesit të rregullt mësimor, prandaj Avokati i Popullit fton MASh-in që ta tërheqë urgjentisht këtë vendim, pasi i njëjti nuk është në përputhje me Ligjin për arsimin e mesëm dhe aktet nënligjore dhe njëkohësisht është në kundërshtim edhe me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.
Avokati i Popullit konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk duhet të ndikojë mbi arsimin e nxënësve, e as të jetë shkak për ndryshimin e afateve për dhënien e maturës shtetërore.
“Procesi i rregullt mësimor për maturantët përfundon më 20 maj dhe ky ndryshim afatesh për maturën shtetërore paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të nxënësve, të cilëve në mënyrë drastike u shkurtohet koha e përgatitjes për këtë provim... Suksesi i maturës shtetërore mund të jetë faktor vendimtar për atë nëse nxënësi do të regjistrohet ose jo në fakultet, si dhe nëse participimi do të jetë 200 ose 400 euro me kundërvlerë në denarë, fakt që nuk duhet të shpërfillet.”- thuhet në reagim.
Shqetësues gjithashtu është fakti se nxënësit përsëri nuk janë pyetur e as është kërkuar mendimi i tyre, edhe pse bëhet fjalë për aktivitet i cili drejtpërsëdrejti reflektohet mbi vet ata dhe arsimin e tyre të mëtutjeshëm.
“Me këtë vendim, jo vetëm që cenohet parimi i interesit më të mirë të fëmijës, por nuk respektohet as parimi i pjesëmarrjes së fëmijëve, përkatësisht dëgjimi i mendimit të tyre, i cili është i obligueshëm me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.”- thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
REJHAN BUSHI-METAJ
