KUVENDI

Shpërbëhet kuvendi republikan

05.03.2014 18:23

Me 117 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi propozim-vendimin e BDI-së për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë………

Deputetët njëzëri vendosën për shpërndarjen e parlamentit. Me 117 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi propozim-vendimin e BDI-së për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Nexhati Jakupi edhe një herë arsyetoi nismën për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar idenë dhe nevojën për një kandidat konsenzual për president shteti, i cili do të përfaqësonte interesat e shtetit dhe të gjithë qytetarëve të saj.  

“Për fat të keq, kjo oferta jonë nuk u trajtua seriozisht dhe asnjë subjekt politik nuk guxoi të japë një përgjigje pozitive për të.  Shprehim keqardhje që subjektet tjera politike akoma nuk janë të gatshëm për një hap të tillë të madh dhe vizionar politik, ndërkohë ne do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe forcojmë akoma më shumë këtë ide, sepse besojmë se kjo ofertë është në interes të vendit. Koha do të dëshmojë se presidenti konsenzual është një ide e madhe politike dhe idetë e tilla nuk shpenzohen për një fushatë politike dhe akoma më pak për një cikël zgjedhor”, - deklaroi nga BDI, Nexhati Jakupi.

Ndërkaq, PDSH-ja vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, janë lojë e parapërgatitur nga partneret e koalicionit qeveritar, ndërsa kundërshtimet rreth kandidatit konsenzual, janë vetëm pretekst.

“Aktrimi kinse i konfliktit dhe mospranimi i konceptit të çoroditur të quajtur “President konsensual” po na paraqitet si shkas për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe paramendoni këto zgjedhje zhvillohen gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe shtrohet pyetja pse mu në raundin e dytë të mbahen zgjedhjet? Paramendoni BDI si pale në konflikt tash duhet të sigurojë censusin për t’u zgjedh presidenti në raundin e dytë. E ky është film i pare e kemi parë në 2005-tën e kemi pare në 2009-tën”, - u shpreh nga PDSh, Bekim Fazliu.

Edhe RDK-ja gjykon se paraqitja me idenë për kandidat konsenzual për president, është lojë e partnerëve të koalicionit qeveritar, ku është përfshirë edhe PDSh, prandaj kjo parti abstenon në zgjedhjet presidenciale.

“RDK-ja ndaj zgjedhjeve presidenciale, do të mbajë qëndrim indiferent pasiv, duke lënë që vetë votuesit të marrin vendimmarrje. RDK-ja përsërit qëndrimin e saj konzistent se përgjigja e vetme ndaj kërcënimit politik të Nikolla Gruevskit dhe VMRO DPMNE-së, është garimi i partive politike shqiptare, me një listë të përbashkët të qytetarëve që do të siguronte nga 30 deri në 40 deputetë shqiptar dhe këtu ëndrra e VMRO-së do të ishte një iluzion utopik, ndërsa legjitimiteti i votës shqiptare, i garantuar dhe i materializuar në interes të shqiptarëve”, - tha Naxhi Xhelili nga RDK.

“Nisma e BDI-së për kandidat konsenzual, nuk u pranua si qëllim-mirë nga VMRO-DPMNE, pasi për të kuptuam permes mediave”, - tha koordinatorja e grupit parlamentar, Silvana Boneva. Ajo tha se për VMRO-DPMNE-në, nuk është i pranueshëm as qëllimi i proklamuar i partnerit të koalicionit për dështimin e zgjedhjeve presidenciale.

Mirëpo fjalimi i Bonevës, nuk ndryshoi bindjet e LSDM-së, se zgjedhjet janë një skenar i dakorduar mes partnerëve të koalicionit. Koordinatori i LSDM-së, Igor Ivanovski, tha se kjo parti mbështet zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që t’u mundësojë qytetarëve të dënojnë këtë lojë politike, por edhe të ofrojë perspektiva të reja.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, pritet që edhe zyrtarisht të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen sëbashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. (Shpëtim Nuredini, TVM2)