Maqedoni
Falja e politikanëve nga Ivanov, edhe të burgosurit kërkojnë ulje të dënimeve
19.04.2016 14:45
Përmes një peticioni, rreth 2 mijë të burgosur kërkojnë ulje të dënimeve nga presidenti Ivanov...

Deri tani peticionin e kanë nënshkruar 1.803 të burgosur nga sektori i meshkujve dhe femrave në burgun e Idrizovës dhe në burgun e Shtipit, por avokatët, Zvonko Davidoviq dhe Dushko Jovanoviq, presin që peticionin ta nënshkruajnë edhe të burgosur të tjerë, pasi gjithsej janë 3.152 të dënuar në këto burgje.
Pritet që peticionin ta nënshkruajnë edhe të burgosur nga burgjet e tjera të vendit. Të burgosurit vlerësojnë se politikanët në Maqedoni nuk mund të jenë të privilegjuar dhe se të burgosurit nuk janë qytetarë të rendit të dytë.
Sipas tyre, nëse presidenti falë politikanët që kanë kryer vepra nga vjedhja e deri tek rastet e montuara, përse të mos ulë dënimet për të burgosurit aktualë.
Nuk mundet që qytetarët të dergjen burgjeve edhe për vepra të vogla, ndërsa politikanët të falen pa asnjë ditë burg, thonë të burgosurit përmes peticionit të tyre.
Nëse nuk kanë përgjigje në kërkesën e tyre, të burgosurit paralajmërojnë se do të protestojnë dhe nuk do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.
