Maqedoni
Bellanoc, banorët kundër shkatërrimit të pyjeve
19.04.2016 16:27
Banorët e fshatit kufitar Bellanoc të komunës së Likovës sot dolën në mbrojtje të pyjeve, duke protestuar kundër prerjes së pyjeve të kësaj pjese të malësisë së Karadakut...

Ata të revoltuar alarmojnë në mënyrë të qetë se po u shkatërrohet prona private e pyjeve. Banorët për prerjen ilegale të pyjeve fajësojnë Njësinë e “Pyjeve të Maqedonisë “ në Kumanovë.
“Urgjentisht të ndalet prerja e malit! Të formohet një komision nga Ministria e Bujqësisë dhe pylltarisë për vlerësimin dhe shkatërrimin e pyjeve, gjegjësisht dëmtimin e natyrës! Të gjithë ata që kanë kontribuar për në këtë nivel të dëmtohet natyra, fauna dhe flora, të përgjigjen para organeve shtetërore! Fajtor dhe përgjegjës kryesor për këtë është drejtori i njësisë Rajonale të Pylltarisë në Kumanovë, kështu mendojnë fshatarët e fshatit Bellanoc, këto janë kërkesat tona.”- deklaroi Agim Gashi nga Këshilli organizativ i protestës.
Protestuesit njëkohësisht i apelojnë Njësisë së “Pyjeve të Maqedonisë” që mos të rëndojnë edhe më tepër situatën, pasi që, siç thonë, banorët mund të përballen me ta, dhe se nuk kanë ndërmend të ndalen me kaq, por drejtësinë e tyre do ta kërkojnë deri në fund.
Ndërkohë që drejtori i Njësisë së “Pyjeve të Maqedonisë” në Kumanovë, Vaid Saiti, nëpërmjet telefonit na tha se:
“Pyjet i mbrojnë organet shtetërore, siç janë: policia e rregullt dhe ajo kufitare, si dhe rojtarët e pyjeve. Inxhinierët dhe teknikët e njësisë së pyjeve bëjnë matjen për prerje të drunjve në pyjet private sipas kërkesës së pronarëve.”- tha ndër të tjera Vaid Saiti.
Ndryshe, ky mbase është rast i rrallë i protestimit për shkak të shkatërrimit të pamëshirshëm të pyjeve gjithandej në vendin tonë dhe askush deri tani nuk e ngriti zërin për këtë.
NEXHAT AQIFI
