Botë

Rasti “Vetëtima”, tetë të akuzuarit: Nuk jemi fajtorë, është rast i montuar

19.04.2016 16:35

Musadik Pajaziti, Besnik Bajrami, Elham Arifi, Seadudin Abdullahu, Fazli Osmani, Ragmi Latifi, Ibrahim Murtezani dhe 76 vjeçari Ebib Alii..

Musadik Pajaziti, Besnik Bajrami, Elham Arifi, Seadudin Abdullahu, Fazli Osmani, Ragmi Latifi, Ibrahim Murtezani dhe 76 vjeçari Ebib Alii janë tetë të akuzuarit për përkrahje logjistike të “Grupit të Kumanovës”, të cilët në sallën gjyqësore mohuan të kenë ndihmuar grupet e armatosura.
 
Të gjithë këta akuzohen se “Grupin e Kumanovës” dhe grupin që sulmoi stacionin policor në Gushincë i kanë furnizuar me ushqime, i kanë dhënë informacione për lëvizjen e policëve, si dhe i kanë ndihmuar për të kaluar kufirin.
 
Avokatët mbrojtës kërkojnë lirimin e tetë të akuzuarve, pasi që, siç thonë, prokuroria deri më tani nuk ka siguruar asnjë dëshmi.
 
“Në këtë aktakuzë nuk ka asnjë dëshmi, provë materiale apo verbale që prokuroria mund ta dëshmojë se këta persona janë të implikuar në këtë rast. Kërkojmë lirimin e këtyre personave që po mbahen në paraburgim pa asnjë provë.”- deklaroi avokatja, Artene Iseini.
 
“I dyshuari, Osmani, është i biri i të akuzuarit në rastin e Kumanovës, Sulejman Osmanit, dhe kushëriri i Erhan Arifi. Prokuroria ka prova nga masa të veçanta hetimore se këta dy persona kanë  komunikuar mes vete. Këta dy persona kanë lidhje familjare, por nuk bëhet fjalë për vepër apo aktivitet në ndonjë grup terrorist."- tha avokati, Asmir Alispahiç.
 
Avokatët thonë se veprat me të cilat ngarkohen tetë të akuzuarit janë identike dhe nuk ka individualizim të fajit për asnjë nga të dyshuarit e përfshirë në aktakuzë.
 
SANIJE DURAKU