Maqedoni

Takimi i Vjenës, Kocijançiç: zbatoni “Përzhinën”, nuk ka marrëveshje të re

19.04.2016 16:37

Takimi i Vjenës pritet të shpëtojë Marrëveshjen e Përzhinës dhe të nxjerrë vendin nga kriza, e jo të arrihet marrëveshje e re...

Ky është qëndrimi i Brukselit në prag të takimit. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, thotë se në takimin e së premtes do të rishikohen mundësitë për daljen nga kriza dhe vendi t’i kthehet rrugës euroatlantike.
 
“Qëllimi i takimit do të jetë gjetja e mënyrave për zgjidhjen e krizës dhe të sigurohemi se liderët do të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, prioritetet në reforma dhe të tregojnë vullnet për të kthyer shtetin e tyre në rrugën euroatlantike.”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.
 
Takimi i së premtes në Vjenë vjen me ftesë të eurokomisionerit, Johanes Hahn, dhe tre eurodeputetëve, Ivo Vajgëll, Riçard Hovit dhe Edvard Kukan, pas përshkallëzimit të situatës ditëve të fundit në Maqedoni. Vetëm VMRO-DPMNE ka konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Vjenë.
 
Partitë shqiptare, BDI dhe PDSh, ende nuk janë prononcuar për shkuarjen në metropolin austriak. Ndërkaq, nga LSDM thonë se e kanë marrë ftesën, por janë duke u konsultuar edhe me sektorin civil.
 
Pjesë e takimit do të jetë edhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, dhe ai i ShBA-së, Xhes Bejli. Ndërkaq, nga Nisma qytetare “Protestoj” kanë kërkuar që edhe ata të jenë pjesë e bisedimeve midis liderëve të vendit me faktorin ndërkombëtar.
 
MERAL ISMAILI